Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 248 datë 16.09.2011, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. DIDAKTIKË

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programin e ri të Studimit Master Profesional, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Didaktikë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
 Emërtimi Master Profesional në “Didaktikë” është përgjithësues dhe ka nevojë të specifikohet për të orientuar qartë specialitetin e diplomës në përputhje me nevojat e tregut të punës në sektorët përkatës të edukimit brenda dhe jashtë vendit.
 Mungojnë marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara nga IAL.
 Misioni dhe objektivat e PS nuk janë formuluar qartë. Pritshmëritë profesionale dhe arritjet e kualifikimit të nevojshëm përmes PS nuk janë shprehur në mënyrë të plotë.
 Mënyra e formulimit të mundësive të punësimit për të diplomuarit në këtë program studimi, ka nevojë të përmirësohet nga ana kuptimore dhe gjuhësore.
 Referuar praktikës profesionale, elemetit kyç të PS, vërehet se gjendet një mospërputhje deklarimesh që rrisin konfuzionin rreth garancisë së PS për të arritur standardet e kërkuara në trajnimin profesional të të diplomuarve.
 Në programin disiplinor të emërtuar “Praktikë Shkollore e Mësimdhënies”, nuk cilësohet si destinacion praktikimi as shkolla 9-vjeçare as shkolla e mesme e përgjithshme, duke lënë të hapur çështjen se ku dhe si do të zhvillohen praktikat profesionale në këtë PS.
 Plani Mësimor i specifikuar nuk respekton shkallën e duhur si kriter linear i marrjes së informacionit që nënkupton se disa lëndë/module duhet të zhvillohen përpara disa lëndëve/moduleve të tjera.
 Në planin mësimor format e mësimdhënies nuk janë paraqitur për asnjë lëndë.
 Në planin mësimor, nuk vërehen diferenca në ndarjen e krediteve midis lëndëve.
 Raporti i ngarkesës mësimore në auditor me atë jashtë auditorit nuk është balancuar drejtë, duke i dhënë epërsi të madhe punës individuale të studentit të realizuar jashtë auditorit, më tepër nga çfarë rekomandohet si e përshtatshme për një program studimi.
 Një pjesë e konsiderueshme e syllabuseve kanë shabllonizuar njëra-tjetrën në përshkrimin e metodave të mësimdhënies dhe mënyrës së vlerësimit, pa marrë në konsideratë natyrën e veçantë të lëndës. Ndërsa një pjesë tjetër e tyre paraqesin probleme me redaktimin gjuhësor.
 Format dhe metodat e mësimdhënies të paraqitura në programet lëndore janë shabllonizuar pa respektuar veçoritë e secilës lëndë. Edhe programi i “Praktikës shkollore të mësimdhënies” prezanton të njëjtat forma të mësimdhënies sikundër çdo lëndë tjetër me natyrë teorike e parashikuar në këtë PS.
 Një pjesë e konsiderueshme e syllabuseve rekomandojnë literaturë bazë dhe të këshilluar vetëm në gjuhë të huaj (veçanërisht në italisht) duke e bërë më pak të mundshme për t`u siguruar nga studentët dhe për t`u përdorur lehtësisht prej tyre.
 Një pjesë e konsiderueshme e programeve lëndore kanë pasqyruar një numër të pakët të temave mësimore krahasuar me numrin e orëve në auditor të parashikuar në Planin Mësimor. Disa programe janë përqëndruar vetëm në temat teorike dhe nuk kanë pasqyruar temat praktike.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Master Profesional në Didaktikë
të mos hapet