Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Misioni dhe Veprimtaria

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 109, datë 15.02.2017, nga riorganizimi i Agjencisë Publike të Arsimit të Lartë e cila është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 303, datë 01.07.1999 dhe në mbështetje të ligjit nr 80/2015, për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor

ASCAL është i vetmi institucion në RSh që kontrollon dhe vlerëson cilësinë në arsimin e lartë. Kjo, duke u mbeshtetur në standardet shtetërore të cilësisë dhe në standardet dhe udhëzimet përkatëse të cilësisë në Hapësirën Europiane dhe atë ndërkombëtare të arsimit të lartë. ASCAL është i pavarur, i paanshëm dhe transparent në kryerjen e veprimtarisë së tij. ASCAL kryen vlerësimin paraprak të cilësisë për IAL-t, njësitë e tyre dhe programet e studimit të të tre cikleve në kuadër të licencimit të tyre si dhe vlerësimin e jashtëm në kuadër të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit. Gjithashtu Agjencia kryen vlerësime analitike dhe krahasuese për IAL, programet dhe fushat e studimit.

Misioni i ASCAL

  • Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë përmes vlerësimit të jashtëm, objektiv dhe të pavarur; 
  • Ruajtja e standardeve të cilësisë; 
  • Promovimi dhe përmirësimi i cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë.

Veprimtaria e ASCAL

Vlerësimi i jashtëm i cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë; 
Monitorimi, vlerësimi i cilësisë akademike dhe i përputhshmërisë me standardet e cilësisë së institucioneve dhe programeve të ofruara prej tyre, përpara vlerësimit për akreditim të parë dhe në vijim; 
Vlerësimi paraprak në kuadër të hapjes dhe/ose riorganizimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin; 
Vlerësimi paraprak dhe njohja e programeve të studimit, të ofruara në institucionet shqiptare të akredituara të arsimit të lartë nga institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë; 
Vlerësimi periodik, çdo tre vjet, i cilësisë së mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë dhe monitorimi i vazhdueshëm i tij përmes Sondazhit Kombëtar të Studentëve, në përputhje me udhëzuesit e saj; 
Vlerësimi i sistemeve të brendshme të cilësisë (auditimi) në institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me udhëzuesit e saj dhe standardet e udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë; 
Vlerësime tematike, analitike dhe krahasuese të institucioneve dhe/ose programeve të studimit, në funksion të politikave për arsimin e lartë, në mënyrë autonome ose me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

 

Për të përmbushur misionin e tij ASCAL përveç akteve ligjore në fuqi mbështetet edhe ne Kodin e Cilësisë si dhe në rregulloret e brendshme të tij.

ASCAL është pjesë e hapësirës europiane të sigurimit të cilësisë duke bashkëpunuar më të gjithë aktorët e kësaj fushe dhe duke qenë anëtar i asociuar i ENQA, anëtar me të drejta të plota i CEENQA, anëtar me të drejta të plota i INQAAHE. Gjithashtu ASCAL ka bashkëpunime të suksesshme me QAA dhe CHE.