Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 247 datë 16.09.2011, Shkolla e Lartë Private “Apolon i Ri”, Fier

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:

1. EDUKIM FIZIK DHE SPORTE
2. FIZIOTERAPI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit, të kërkuar nga Shkolla e Lartë Private “Apolon i Ri”, Fier, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Edukim Fizik dhe Sporte”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara.
 Të paraqitet vendimi i Senatit për këtë program studimi.
 Të përputhet ngarkesa në auditor për të tre vitet e studimit me kriterin e standardeve.
 Të plotësohen syllabuset e lëndëve “Sociologji”; “Gjuhë e huaj Anglisht; Italisht dhe Frengjisht” me literaturën e ndarë në bazë dhe ndihmëse.
 Të paraqiten CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program studimi.
 Të angazhohen personel akademik si titullarë të lëndëve/moduleve që ka së paku gradën shkencor “Doktor” ose titullin akademik “Docent”.
 Të paraqiten të dhëna për disponibilitetin e personelit akademik që do të angazhohet për tutoriat, udhëheqje dhe mbikqyerje të studentëve në praktikën profesionale dhe temën e diplomës.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Fizioterapi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara.
 Të paraqitet vendimi i Senatit për këtë program studimi.
 Të plotësohen syllabuset e lëndëve “Sociologji”; “Gjuhë e huaj Anglisht; Italisht dhe Frengjisht” me literaturën e ndarë në bazë dhe ndihmëse.
 Të paraqiten CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program studimi.
 Të angazhohen personel akademik si titullarë të lëndëve/moduleve që ka së paku gradën shkencor “Doktor” ose titullin akademik “Docent”.
 Të paraqiten të dhëna për disponibilitetin e personelit akademik që do të angazhohet për tutoriat, udhëheqje dhe mbikqyerje të studentëve në praktikën profesionale dhe temën e diplomës.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Apolon i Ri”, Fier”, për programet e studimit: B.Sc. në “Fizioterapi” dhe B.Sc. në “Edukim Fizik dhe Sporte”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin prej programeve të studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për miratimin e programeve të mësipërme.