Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 218 datë 29.07.2011, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Programi i Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. E DREJTË NDËRKOMBËTARE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programin e Ri të Studimit Master i Shkencave, të kërkuar nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “E Drejtë Ndërkombëtare”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
 Mungojnë të dhënat për numrin total të provimeve.
 Orët e Praktikës profesionale janë llogaritur si orë jashtë auditorit.
 Ngarkesa totale e orëve në auditor nuk është në përputhje me kriteret e Udhëzimeve të MASh (600-750 orë mësimore/vit).
 Ndarja e lëndëve sipas veprimtarive formuese në ECTS (122) nuk përputhet me ECTS e paraqitura në planin mësimor (120).
 Nuk jepet lista e debiteve të formimit me plotësime shtesë.
 Nuk ka të dhëna për koordinatorin e programit.
 Syllabuset nuk janë paraqitur me elementët e tyre përkatës. Mungojnë: emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën temat që do të trajtojë lënda, ngarkesa në orë në auditor dhe jashtë auditorit, format e vlerësimit të studentëve, detyrimet e studentit për lëndën, literatura ndihmëse.


Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Master i Shkencave në E Drejtë Ndërkombëtare
të mos hapet

Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.