Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 362, datë 17.09.2012, Shkolla e Lartë Private “Kristal”

VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 362, datë 17.09.2012


Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit që përfundon me Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i  përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:
1.    Të strukturohet njësia e vlerësimit të brendshëm sipas kërkesave e standardeve të përcaktuara nga APAAL.
2.    Të përmirësohet raporti personel efektiv/ personel i jashtëm.
3.    Të plotësohet kërkesa e standardit që të gjithë titullarët e lëndëve/moduleve të kenë minimalisht gradën shkencore “Doktor”.
4.    Të shmangen përsëritjet e temave sidomos në modulet “Ekonomia Botërore e Shek. XXI” dhe “Doktrina Ekonomike”.
5.    Të hartohen syllabuse edhe për seminaret në mënyrë që të rritet cilësia e tyre si dhe të përmirësohet kontrolli për to.
6.    Të synohet dhënia e disa moduleve edhe në gjuhë të huaj (anglisht).
7.    Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit:    Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”
të akreditohet.


DREJTORI
AVNI MESHI