Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 91 datë 03.09.2010 - SHLUP “Ufo University”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 91 datë 03.09.2010

Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë në “Farmaci”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Ufo University”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në “Farmaci”, Departamenti i Farmacisë, Fakulteti i Stomatologjisë, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Ufo University”, të kryer në periudhën Maj - Shtator 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për Programin e Studimit: Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në ”Farmaci” pasi është në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit i ka përmbushur objektivat formues, por me qëllim përmirësimin e planit mësimor duke e përafruar më shumë me Udhëzimet e MASH,
REKOMANDON:
1. Të ndryshohet emërtimi i Fakultetit, nga Fakulteti i Stomatologjisë (ku brenda tij ka programin e studimit të Farmacisë dhe të Stomatologjisë) në një emërtim që i përshtatet të dyja programeve të studimit.
2. Të rritet ngarkesa mësimore e mbuluar nga pedagogët e brendshëm si dhe kualifikimin shkencor në përputhje edhe me orientimet e MASH.
3. Rishikimin e ngarkesës për lëndët e formimit bazë të planit mësimor, duke e reduktuar numrin e krediteve dhe duke balancuar nga ana tjetër me lëndët e kategorisë karakterizuese.
4. Përmirësimin e veprimtarisë shkencore, strukturimi më i mirë i saj me një plan afatgjatë si dhe bashkëpunimin me institucionet jashtë Departamentit të Farmacisë së “Ufo University” të cilat do të ndihmonin në përmisimin e kësaj veprimtarie. Të shihet mundësia e angazhimit dhe të studentëve në punimet shkencore.
5. Në pëfundim të studimeve të parashikohet një tezë dipllome me më shumë kredite se ato të parashikuara në këtë plan studimi për “përgatitjen e provimeve të diplomës”.
6. Të organizohet sa më shpejt përfaqësimi dhe organizimi i studentëve në organizmat studentore dhe organet akademike.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në Farmaci të akreditohet duke i sugjeruar edhe plotësimin e rekomandimeve të mësipërme.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT