Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 86 datë 18.06.2010 - SHLUP "Universiteti Kristal"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 86 datë 18.06.2010

Për vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Programet e Studimit në Drejtësi dhe në Farmaci, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Programet e Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi dhe Farmaci (nga 3 vjet në 5 vjet), të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”, të kryer në periudhën Prill – Qershor 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për dy Programet e Studimit: Drejtësi dhe Farmaci pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Në lidhje me plotësimin e kushteve të akreditimit për programet e studimit në “Drejtësi” dhe në “Farmaci”, Këshilli i Akreditimit arrin në këto përfundime:
1. Institucioni ka qartësuar kompetencat e organeve të ndryshme kolegjiale dhe monokratike brenda institucionit dhe njësive kryesore lidhur me vendimmarrjen për proçeset akademike të tij, dhe i ka pasqyruar ato në statut, në rregulloren e Brendshme të Fakulteteve, Rregulloren akademike, Rregulloren e funksionimit të Këshillit të Fakultetit. Janë ngritur dhe funksionojnë organet kolegjiale, senati akademik dhe Këshilli i Fakultetit
2. Fakultetet kanë përmirësuar procesin e transferimit të studentëve dhe i ka kryer ato në përputhje me Rregulloren Akademike të Universitetit dhe rregulloren e brendshme të fakultetit. Dosjet e transferimit jane te plota dhe te shoqeruara me vendimin e komisionit Ad-hoc për njohjen dhe ekuivalentimin e lendeve. Procedurat e transferimit pasqyrohen në dokumentacionin bazë të Institucionit dhe fakultetit.
3. Forma e vlerësimit të studentëve është përmirësuar dhe merr në konsideratë të gjitha veprimtaritë formuese të lëndës, detyrat/esetë, seminaret dhe masën e frekuentimit. Mënyra e vlerësimit është parashikuar në syllabuset e lëndëve. Për programin e studimit Drejtësi vlerësimi në provim ze 70% të vlerësimit përfundimtar. Për programin e studimit Farmaci vlerësimi në provim mund të zerë edhe 38% të vlerësimit të përgjithshëm, ndërsa pikët që fiton vetëm nga frekuentimi (leksione, seminare, laboratore) mund të shkojnë edhe në 22%. Pikët e vlerësimit që fitonte studenti gjatë vitit nuk ruheshin në sekretarinë mësimore, por mbaheshin nga pedagogu. Në sekretari nuk depozitohej dokumentacioni i regjistrimit të masës frekuentimit të studentit në leksione e seminare.
4. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.55, datë 21.01.2009, është miratuar hapja në Filialet e Fierit dhe të Korçës të programit të studimit Drejtësi. Mësimi zhvillohet paradite dhe pasdite. Sigurohet transporti i pedagogëve nga Tirana në Fier. Megjithëse nuk është miratuar hapja e programit të studimit Farmaci në Filialin e Fierit, aty vazhdon të zhvillohet mësim për studentët që kanë qenë të regjistruar. Regjistrime të reja për këtë program studimi në filialin e Fierit nuk ka. Studentët e filialit të Fierit, i kryejnë në Tiranë punët laboratorike dhe provimet.
5. Nga shqyrtimi i orarit mësimor për mësimdhënien paradite dhe pasdite vërejmë se ka një përputhje të strukturës mësimore faktike me planin mësimor.
6. Programi i studimit Farmaci i ofruar nga Universiteti Kristal është një program studimi i integruar i nivelit të dytë (DIND), me kohëzgjatje normale 5 vite dhe me 300 kredite. Programi është i plotë, në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë.
7. Studentët që kanë përfunduar studimin në programin trevjeçar dhe ata që ishin duke ndjekur atë janë në procesin e plotësimit të formimit të tyre në përputhje me programin e integruar të studimit të ciklit të dytë.
8. Në vitin akademik 2009-2010 studentët janë regjistruar vetëm në programin e studimit të integruar të nivelit të dytë.
Për të përmirësuar më tej punë në drejtim të arritjes së standardeve të cilësisë, Këshilli i Akreditimit Rekomandon:
1. Në senatin akademik të rritet pesha specifike e anëtarëve të senatit, pjestarë të stafit akademik në raport me anëtarët e jashtëm. Senati akademik, si organ pune, kolegjiale, vendimmarrëse duhet të ketë detyrimin e mbledhjes së tij më të madh se dy herë në vit.
2. Në organet kolegjiale të përcaktohen raportet e përfaqësimit nga njësitë përbërëse si dhe raportet e përfaqësimit nga stafi akademik, stafi administrativ dhe studentët. Kompozimi i këshillit të fakultetit të jetë i tillë që të sigurojë një autonomi në veprimtarinë e tij. Fakulteti të përcaktojë raportet e përfaqësimit nga njësitë bazë si dhe procedurat e përzgjedhjes, të cilat duhet të jenë më demokratike. Fakulteti të ketë një rregullore të brendshme të funksionimit të tij dhe të njësive bazë, të miratuar nga këshilli i fakultetit dhe senati akademik.
3. Fakulteti të marrë masat organizative për të ndërprerë mësimdhënien në Filialin e Fierit në programin e studimit Farmaci.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Heqjen e kushteve të akreditimit Institucionit të Arsimit të lartë privat “Kristal” për programet e studimit Drejtësi dhe Farmaci, bazuar në Vendimin nr. 4 datë 17.02.2009 të Këshillit të Akreditimit dhe të Urdhërit nr. 76, datë 09.04.2009 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT