Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 85 datë 18.06.2010 - SHLUP "Justiniani I"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 85 datë 18.06.2010

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë të Nivelit të Dytë në “Drejtësi” dhe Master i Nivelit të Dytë në “Shkenca Juridiko – Penale”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Dytë në Drejtësi dhe Master i Nivelit të Dytë në Shkenca Juridiko Penale, Fakulteti i Drejtësisë, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”, të kryer në periudhën Prill - Qershor 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për Programet e Studimit: Diplomë e Nivelit të Dytë në Drejtësi dhe Master i Nivelit të Dytë në Shkenca Juridiko - Penale pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim,
REKOMANDON:
1) Të rritet numri i librave dhe titujve fizikë
2) Struktura organizative të ketë një ndarje më të qartë të përgjegjësive dhe kompetencave mes organeve të ndryshme kolegjiale vendimmarrëse apo këshilluese.
3) Të dokumentohet sistemi i tutoratit për punën e bërë nga këshilltarët akademikë
4) Aktivitetet kulturore, argëtuese dhe shlodhëse për studentët të jenë më të shumta.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr.303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Dytë në Drejtësi të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Dytë në Shkenca Juridiko - Penale të akreditohet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT