VENDIM
Nr. 8, datë 05.01.2015
PËR
LICENSIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “KONSTRUKSION MAKINASH”, TË INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË, UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË
Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, mbështetur në procesin dhe rezultatet e vlerësimit të parë me kusht, dhe vlerësimit të dytë për verifikimin e plotësimit të kushteve të këtij programi me elementët:
a) Emërtimi i programit: Master i Shkencave në “Konstruksion Makinash”
b) Cikli i studimit: Cikli i Dytë
c) Institucioni që e ofron: Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
d) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Teknike
e) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 2 vite/4 semestra
f) Kredite (ECTS): 120 ECTS
g) Forma e studimi: me kohë plotë
h) Gjuha e studimeve: Shqip
i) Statusi i diplomës: Vetëm nga IAL propozuese
j) Numri i studentëve të parashikuar për vit akademik: 10-20 studentë në vit akademik
që përfundon me diplomë Master i Shkencave në “Konstruksion Makinash”
VENDOSI:
1. Programi i studimit Master i Shkencave në “Konstruksion Makinash” nuk i përmbush standardet e cilësisë për një sërë mangësish që lidhen me mosplotësimin e standardeve minimale akademike të fakultetit dhe departamenteve përgjegjëse për këtë program, pamjaftueshmërinë e stafit akademik në numër dhe kualifikim për të ofruar këtë program studimi, mangësi në strukturën kurrikulare dhe përmbajtjen e programit, mungesë të dhënash dhe paqartësi në lidhje me kriteret e hyrjes/pranimit në këtë program dhe paqartësi në lidhje me punësimin e studentëve të këtij programi.
2. Për gjithë sa më sipër KA jep vlerësim përfundimtar negativ dhe i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që programi i studimit Master i Shkencave në “Konstruksion Makinash” me elementët e mësipërm: të mos hapet.
3. Duke qenë se ky program studimi është hapur tashmë, me Urdhër Nr. 364, datë 04.09.2013 dhe ka aktualisht studentë, i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të mos akordojë kuota studimi në vijim për këtë program dhe të parashikojë mundësi transferimi të studentëve në proces në programe të ngjashme në Institucione të tjera të Arsimit të Lartë.