Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 61 datë 08.01.2010 - Universiteti i Tiranës

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 61 datë 08.01.2010

Për vlerësimin e Programit të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master të Nivelit të Parë (MNP) në:
· BIOTEKNOLOGJI MJEDISORE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programin e Ri të Studimit, Master i Nivelit të Parë në Bioteknologji Mjedisore, të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Master i Nivelit të Parë në “Bioteknologji Mjedisore”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin përfundimtar negativ me argumentat:
1. Ka mospërputhje midis emërtimit të programit, objektivave të formimit dhe strukturës së planit mësimor.
2. Programi i paraqitur ofron më tepër formim teorik se sa profesional/praktik që është synimi i një masteri, veçanërisht i nivelit të parë; këtë e dëshmojnë dhe ngarkesa mësimore në auditor (të pakta në raport me standartin minimal), natyra, emërtimi dhe syllabuset e lëndëve, pesha e papërfillshme e praktikës (rreth 5%) dhe pesha e pajustifikuar e temës së diplomës (30%).
3. Mungon tërësisht në këtë program komponenti teorik/praktik që lidhet me diagnostikimin dhe rehabilitimin mjedisor përmes metodave e teknikave të bioteknologjisë moderne.
4. Në pjesën dërrmuese të programeve lëndore ka përsëritje të njohurive të nivelit të parë, ndërkohë që lëndë specifike janë fragmentare e pa literaturë didaktike.
5. Ka kritere jokoherente pranimi për diploma apo formime të mëparshme të ngjashme, nuk ka kritere të qarta e specifike përzgjedhëse dhe politika tërheqëse ndaj të punësuarve aktualë.
6. Duke patur parasysh se departamenti që aplikon për këtë program studimi nuk ka përvojën e mjaftueshme akademike në fushën e programit, ky program duhet të ofrohej detyrimisht në partneritet të barabartë me njësi akademike e institucione ekzistuese që kanë përvojë dhe që kanë vendosur prej vitesh bazat e mësimdhënies në Biologji, Teknologji, Bioteknologji e fusha që lidhen me Bioteknologjinë e që kanë stafe me përvojë e që duheshin angazhuar në këtë program. Pa këtë partneritet, departamenti aplikues, e ka të pamundur me kapacitetet që ka, të konceptojë dhe aq më pak të realizojë me cilësi dhe me sukses një program të tillë.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në “Bioteknologji Mjedisore”, të mos hapet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT