Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 531, datë 18.07.2013 Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 531, datë 18.07.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:


1.   SHËRBIM PROVE

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc) në:

1.   SHËRBIME SOCIALE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Shërbim i provës”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:

  • Të përmirësohen syllabuset e lëndëve të cilat janë të ngjashme me nivelin Bachelor të shkencave sociale si lënda Kriminilogjisë; Orientim në studim, Aftësim Komunikativ dhe Etik; Metodat e kërkimit shkencor.
  • Rishikimi i aplikantëve sipas kriterit të mbarimit të studimeve të ciklit bachelor, ku duket të ketë një lidhje midis studimeve bazë dhe studimeve te thelluara.
2.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i shkencave në “Shërbime sociale”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:

Kusht: Rishikimin e pranimit të aplikantëve nga disiplina të cilat nuk i përkasin fushës së shkencave sociale pasi flitet për dhënie të shërbimeve sociale si nëpër institucione shtetërore por edhe në ato Jo publike.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programet e studimit Master Profesional në “Shërbim i provës” dhe Master i shkencave në “Shërbime sociale”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT