Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 525, datë 18.07.2013 Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 525, datë 18.07.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc) në:
1.   INXHINIERI NDËRTIMI

Për Programin e studimit jouniversitar (2 vite akademike) që përfundon me Diplomë:

1.   TEKNIK I ARSIMIT TË LARTË PROFESIONAL, me profile:
a.    Eficencë energjitike
b.    Restaurim konservim
c.    Gjelbërim peisazhi
d.    Animim turistik dhe gjeometër



Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor dhe Programin e studimit jouniversitar (2 vite akademike), të kërkuar nga “Universiteti Polis”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Inxhinieri Ndërtimi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushte:

§  Të shtohen bashkëpunime me institucione dhe institute të specializuara në fushën e inxhinierisë së ndërtimit. Provat laboratorike janë të domosdoshëm për disa lëndë (material ndërtimi, rezistenca e materialeve, etj.), për rrjedhojë ato duhet të vendosen në program dhe duhet të shpjegohet mënyra e realizimit të tyre në universitet apo me bashkëpunim me institucione dhe institute të specializuara
§  Të shtohen lëndë të disiplinës karakterizuese (B) duke planifikuar edhe lëndë të cilat lidhen me traditën shqiptare të ndërtimit, p.sh ndërtimet me muraturë, duke mbajtur paraysh shtimin e stafit të specializuar në fushën e inxhinierisë së ndërtimit;
§  Të realizohet një diferencim (rritje) të krediteve për një grup lëndësh themelore të inxhinierisë së ndërtimit, bazuar edhe në programin e paraqitur.
§  Të rregullohen rastet ku në tre lëndë të ndryshme (p.sh. Statika & Mekanika, Rezistenca e Materialeve dhe Teoria e Strukturave) mbulohen nga i njëjti lektor.
§  Ndonëse kanë kualifikimet e nevojshme, eksperienca e disa prej lektorëve në lëndën që do të japin, bazuar në CV-të përkatëse, është e pamjaftueshme;
§  Një pjesë e programeve duhet të rishikohen për të korrigjuar pasaktësi të natyrave të ndryshme si dhe të kenë një uniformitet në formë.

2.Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Diplomë në “Teknik i arsimit të lartë profesional, me profile: Eficenc energjitike; Restaurim konservim; Gjelbërim peisazhi; Animim turistik dhe gjeometër”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushte:

Programi të rikonceptohet në përputhje me Ligjin e arsimit të lartë neni 26, paragarfi 4, ku diploma lëshohet në fushën e arsimit të kryer dhe jo si specialist dhe se programet nuk mund të jenë të degëzuara, pasi janë programe profesionale.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues “Universiteti Polis”, për programet e studimit: Bachelor në “Inxhinieri Ndërtimi” dhe Diplomë në “Teknik i arsimit të lartë profesional, me profile: Eficencë energjitike; Restaurim konservim; Gjelbërim peisazhi; Animim turistik dhe gjeometër”,pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT