KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 521, datë 18.07.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc) në:
1. INXHINIER NDËRTIMI, me profil:
a. Ndërtim dhe administrim
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master i Shkencave, të kërkuar nga SHLUP “Vitrina”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1.Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Inxhinier Ndërtimi, me profil: Ndërtim dhe administrim”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushte:
§ Të vendoset qartësisht profili me një fjalë të vetme dhe më tej të riorganizohen lëndët në funksion të atij profili.§ Të rishikohet plani mësimor për disa lëndë që mund të kenë nevojë për rishikim dhe të parashikohen lëndë të fushës më pranë profilit të Inxhinierisë së Ndërtimit, p.sh. Themelet.
§ Të rishikohen disa syllabuse të lëndëve pasi programet e specifikuara në to kanë karakter të informimit të përgjithshëm;
§ Të përshtaten më mirë në funksion të profilit përfundimtar lëndët e disiplinave shtesë apo me zgjedhje.
§ Të rritet numri i personelit akademik të specializuar në fushën e inxhinierisë së ndërtimit kundrejt profilit përkatës dhe të rritet raporti pedagog i brendshëm/pedagog i jashtëm.
§ Të paraqiten CV apo mënyrat se si do të ftohen në mësimdhënie personeli akademik i huaj i përmendur në program.
§ Të parashikohen më qartë diplomat e studentëve që kanë të drejtë të ndjekin programet e studimeve të ciklit të dytë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë pasi kategoria e diplomantëve që kanë përfunduar diplomë universitare të sistemit të vjetër ekuivalente me një diplomë të integruar me profil të specifikuar (zbatim, transport dhe strukturist) nuk e ka të nevojshme këtë kualifikim.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni aplikues SHLUP “Vitrina”, për programin e studimit: Master i Shkencave në “Inxhinier Ndërtimi, me profil: Ndërtim dhe administrim”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT