REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 52, datë 29.06.2015
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “INFORMATIKË EKONOMIKE” TË UNIVERSITETIT EPOKA
Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.424, datë 02.6.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportin e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit, Bachelor në “Informatikë Ekonomike”, me elementët si më poshtë:
a) Emërtimi i programit: Bachelor në “Informatikë Ekonomike”
b) Cikli i studimit: Cikli i parë
c) Vendimi i hapjes/licencimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 175, datë 26.04.2012
d) Institucioni që e ofron: Universiteti Epoka
e) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Administrative
f) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 3 vite/6 semestra
g) Kredite (ECTS): 180 ECTS
h) Forma e studimit: Me kohë plotë
i) Programi i studimit ofrohet: Vetëm nga Universiteti Epoka
j) Statusi i diplomës: Diplomë Bachelor në “Informatikë Ekonomike”
k) Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 6
VENDOSI:
1. Programi i studimit Bachelor në “Informatikë Ekonomike” i Universitetit Epoka, i përmbush “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të ciklit të parë. Për këtë arsye, Këshilli i Akreditimit jep vlerësimin përfundimtar pozitiv.
2. Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Bachelor në “Informatikë Ekonomike” me elementët e mësipërm, të akreditohet.
3. Institucioni të marrë masa për përmirësimin e nivelit të gjuhës angleze, për studentët që hasin vështirësi, përmes organizimit të kurseve të posaçme të gjuhës angleze.
4. Hartimin e një studimi më specifik për nevojat e tregut të punës për këtë program studimi.