KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 514, datë 18.07.2013
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “E Drejtë civile dhe tregtare” dhe Master i Shkencave në “E Drejtë penale”, të Shkollës së Lartë Private “Luarasi”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “E Drejtë civile dhe tregtare” dhe Master i Shkencave në “E Drejtë penale”, të Shkollës së Lartë Private “Luarasi”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por për realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme
REKOMANDON:
Për programin e studimit Master i Shkencave në “E Drejtë civile dhe tregtare”
§ Të bëhen më shumë përpjekje për të rritur numrin e personelit akademik efektiv.
§ Të bëhen përpjekje për të rritur numrin e pranimit në këtë program studimi, në përmbushje të interesave të studentëve për të mos e vazhduar organizimin e mësimit gjithmonë pasdite.
Për programin e studimit Master i Shkencave në “E Drejtë penale”
§ Të bëhen më shumë përpjekje për të rritur numrin e personelit akademik efektiv.
§ Të bëhen përpjekje për të rritur numrin e pranimit në këtë program studimi, në përmbushje të interesave të studentëve për të mos e vazhduar organizimin e mësimit gjithmonë pasdite.
§ Të përmirësohet shpërpjestimi që ekziston për raportin pedagogë të brendshëm – pedagogë të jashtëm edhe pse në rekrutimet e personelit të pedagogëve është mbajtur me rigorozitet kriteri cilësisë, bazuar në profilin e spikatur, karierën në fushën përkatëse, përvojën në mësimdhënie dhe punën kërkimore e botuese.
§ Të mbahet një ekuilibër dinamik në çështjen e ndërtimit të punës së personelit akademik mbi kërkimin shkencor të studentëve.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “E Drejtë civile dhe tregtare”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “E Drejtë penale”
të akreditohet.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT