KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 500, datë 03.06.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. FIZIOTERAPI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. INDUSTRIA E SIGURIMEVE DHE DREJTIMI I RREZIKUT
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor dhe Master i Shkencave, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Fizioterapi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Industria e sigurimeve dhe drejtimi i rrezikut”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§ Të përmirësohet dhe të plotësohet programi i studimit mbi bazën e standardeve/kritereve të kërkuara.
- Të realizohet një studim mbi kërkesat e tregut për të diplomuarit në këtë program studimit.
- Të informohen, njihen dhe të analizohen programet e studimeve homologe të universiteteve të huaja, si ato europiane, për të krijuar mundësinë e marrjes së përvojës së huaj.
- Të krijohet mundësia për të përmbysur raportin ndërmjet numrit të personelit akademik efektiv dhe numrit të personelit akademik me kontratë, në favor të të parëve.
- Të rritet numrin i pedagogëve efektive, titullar të lëndëve mësimore, me gradën shkencore “Doktor”.
- Të identifikohen dhe evidentohen në dokumentacionin e paraqitur, mjediset e përshtatshme për mësimdhënie në përputhje me qëllimin e programit të studimit (klasa, kabinete, laboratore, zyra, paisje dhe mjete mesimdhenese, mjete e teknologji te informacionit, etj.).
- Të ndryshohet emërtimi i Programit të Studimit në “Industria e Sigurimeve dhe Menaxhimi i Riskut”.
- Të bëhen disa modifikime në emërtimet e disa lëndëve të cilat janë të njëjta si në ciklin e parë (Bachelor).
- Të realizohen ndryshimet terminologjike në disa terma bazë, si dega, specialiteti, etj., në përputhje me dokumentet e Procesit të Bolonjës, aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e arsimit të lartë, udhëzimet e APAAL, standardet shteterore te cilesise, etj.
- Të paraqiten në rregulloren mësimore të Institucionit ose në Statut, të dhëna që dëshmojnë sigurimin e cilësise, përdorimin e mekanizmave formalë për shqyrtimin, miratimin dhe mbikëqyrjen e herëpashershme të programeve të studimeve.
- Të plotësohet rregullorja mësimore e Institucionit me të dhëna për sigurimin e literaturës së kërkuar dhe vënien në dispozicion të saj për studentët.
Programi i Studimit: Bachelor në Fizioterapi
të hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për programin e studimit: Master i Shkencave në “Industria e sigurimeve dhe drejtimi i rrezikut”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT