Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 50, datë 29.06.2015 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË MASTER PROFESIONAL NË “GAZETARI DHE KOMUNIKIM” TË UNIVERSITETIT TË NEW YORK-UT NË TIRANË

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 50, datë 29.06.2015
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË MASTER PROFESIONAL NË “GAZETARI DHE KOMUNIKIM” TË UNIVERSITETIT TË NEW YORK-UT NË TIRANË


Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 62, të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.6.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit, dokumentacionin mbështetës si dhe në vijim të zbatimit të Vendimit të Këshillit të Akreditimit Nr. 539, datë 09.05.2014 për plotësimin e disa vërejtjeve dhe mangësive të lëna këtij institucioni si më poshtë:

1.      Të qartësohet ndarja e programit të studimit nga cikli i parë Bachelor në ciklin e dytë Master profesional dhe të ofrohen si programe studimi të veçanta.

2.      Të realizohet një profilizim më i qartë në përmbajtjen e kurrikulës së programit të studimit të ndarë në dy ciklet në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqëruar këto edhe me rezultate në dalje (learning outcomes) në përputhje me emërtimin e programit dhe ciklin e studimit.

3.      Të krijohen bashkëpunime me aktorë në terren për t’u siguruar studentëve punësim në këtë profil.

Por në kushtet kur Institucioni nuk ka përmbushur dhe as ka ndërmarrë masa për të plotësuar kushtet 1) dhe 2) më lart, si dhe pas njohjes së Këshillit të Akreditimit me komunikimin midis Institucionit dhe Ministrisë së Arsimi dhe Sportit (të vënë në dispozicion nga vetë Institucioni) ku konfirmohet ajo ç’ka kërkohet në VKA Nr. 539, datë 09.05.2014 të KA, Këshilli i Akreditimit

VENDOSI:

1.   Programi e studimit Master Profesional në “Gazetari dhe Komunikim”, nuk është në përputhje me kërkesat ligjore dhe nuk përmbush “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programeve të studimit të ciklit të dytë të këtij lloji.

2.   Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që programi i studimit i ciklit të dytë, Master Profesional në “Gazetari dhe Komunikim”, të mos akreditohet si i tillë.

3.      Këshilli i Akreditimit, në përputhje dhe me VKA Nr. 539, datë 09.05.2014, gjykon se ky program studimi, si i tillë, përmbush standardet e një programi studimi Bachelor me kohëzgjatje 4 vjeçare (Neni 45, Pika 1/b, Ligji Nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në RSh”, i ndryshuar) sikurse është hapur me shkresë Nr. 5181 Prot, datë 20.08.2003 dhe ka funksionuar. Për këtë arsye i rekomandon Ministrit të arsimit dhe Sportit që ky program të akreditohet si program i ciklit të parë Bachelor në “Gazetari dhe Komunikim” me kohëzgjatje 4 vjeçare.


Këshilli i Akreditimit mendon se që të arrihet akreditimi i këtij programi studimi si Master Profesional, duhet të ristrukturohet në formë dhe në përmbajtje sipas skemës 3+1 (Bachelor dhe Master Profesional), ku pas tre viteve të para të lëshohet diploma “Bachelor”, e cila është kusht ligjor për pranimin në “Master Profesional”; për këtë qëllim mund të aplikohet edhe kalimi në skemën 4+1 (Bachelor dhe Master Profesional).