KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 496, datë 03.06.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI, me profile:
a. Sipërmarrje dhe inovacion
b. Pasuritë e paluajtshme
c. Marketing dhe strategji
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master Profesional, të kërkuar nga “Universiteti POLIS”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Administrim Biznesi, me profile: Sipërmarrje dhe inovacion; Pasuritë e paluajtshme; Marketing dhe strategji”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të respektohet kriteri i ngarkesës totale në auditor/vit dhe të jepet më qartë ngarkesa jashtë auditorit.
- Të rregullohet dhe të përshtatet ndarja e lëndëve në disiplinat B, C, D, E.
§ Të jepen marrëveshje apo bashkëpunime me institucione të tjera në Shqipëri për zhvillimin e praktikave profesionale.
§ Të plotësohen të gjithë titullarët e lëndëve/moduleve me gradën shkencore Dr.
§ Të përmirësohet raporti personel akademik efektiv/personel akademik me kontratë.
§ Të rritet numri i lëndëve të profilizuara.
§ Të ruhet i njëjti raport vlerësimi për studentët tek të gjithë lëndët/modulet.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni aplikues “Universiteti POLIS”, për programin e studimit: Master Profesional në “Administrim Biznesi, me profile: Sipërmarrje dhe inovacion; Pasuritë e paluajtshme; Marketing dhe strategji”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT