KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 484, datë 03.05.2013
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master Profesional në “Financë – Kontabilitet”; Master i Shkencave në “Administrim Publik” dhe Master i Shkencave në “Menaxhim Binzesi”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master Profesional në “Financë – Kontabilitet”; Master i Shkencave në “Administrim Publik” dhe Master i Shkencave në “Menaxhim Binzesi”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Master Profesional në “Financë – Kontabilitet”
§ Të përfshihet menjëherë në planin mësimor praktika profesionale.
§ Të përmirësohen mangësitë e theksuara në bazën statistikore të të dhënave (studentë, veprimtari shkencore të stafit akademik).
§ Të rregullohet mungesa e organizimit dhe dokumentimit në sekretarinë e Fakultetit.
§ Të realizohen kërkime shkencore si nga stafi akademik dhe nga studentët e këtij program studimi.
§ Të bëhet përpjekje për të mos ndryshuar herë pas herë personelin akademik dhe drejtuesit, për të mos sjellë mangësi në përcaktimin qartë dhe njohjen e strukturave drejtuese të programit të studimit; mangësi në dokumentimin e stafit të brendshëm dhe paqartësi në përcaktimin e përgjegjësive.
§ Të kryhet një vlerësim i nevojave të tregut të punës për këtë program studimi.
§ Të konsolidohen kurrikulat në lidhje me pedagogët (raporti 50%), sylabuset dhe literaturën.
§ Të rritet numri i personelit akademik me grada/tituj shkencor.
§ Të plotësohet bibloteka në funksion të Programit dhe të përmirësohet ajo e programeve mësimore, gjithashtu të krijohet bibloteka online.
§ Të krijohen bashkëpunime me biznesin dhe me institucionet homologe jashtë vendit.
§ Të përmirësohen mangësitë në dokumentat që verifikojnë burimet e financimit, kostot për student, dhe kapacitetet menaxhuese të këtij program studimi.
§ Të realizohet sigurim i brendshëm i cilësisë dhe mekanizmat e përdorur.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programin e studimit Master i Shkencave në “Administrim Publik”
§ Institucioni të hartojë dhe të formalizojë një plan të përgjithshëm strategjik, ku të reflektohen proceset reformuese që janë duke u ndërmarrë në institucion, dhe ndryshimet që mund të ndodhin, për t’i bërë ballë konkurencës së vazhdueshme nga IAL të tjera.§ Duhet vënë theksi në përmirësimin dhe azhornimin e vazhdueshëm të programeve të këtyre profileve duke u bazuar në literaturat më bashkëkohore dhe të autorëve të njohur të vendit dhe botërorë.
§ Për stafin akademik të përfshirë në këtë Program Studimi, të shmanget koncentrimi i disa lëndëve tek një pedagog i vetëm.
§ Të shmanget përfshirja e titullarëve të lëndëve që nuk kanë gradën Doktor i shkencave.
§ Të përmirësohet raporti: nr pedagogë efektivë / nr pedagogë me kontratë.
§ Të rriten mundësitë e kualifikimit shkencor, me mbështetje të posaçme nga ana e universitetit për pedagogët efektivë dhe titullarёve të disiplinave të caktuara.
§ Biblioteka e institucionit, të updatohet në mënyrë të vazhdueshme me botime të reja librash dhe revista shkencore të fushës së Administrimit Publik, si dhe të realizohet aksesi në biblioteka elektronike.
§ Të bëhet shumë promocion për tërheqjen në këtë profil studimi të studentëve të rinj me rezultate të larta nga sistemi i studimeve Bachelor, me qëllim që të investohet shumë tek ata dhe të bëhen në të ardhmen lidera përkatësisht në fushën e administrimit publik.
§ Të përfshihet në planin mësimor dhe një lëndë Metoda kërkimi, duke konsideruar vetë specifikën e masterave shkencorë.
§ Të krijohen marrëveshje bashkëpunimi me universitete europiane dhe të SHBA, për të bërë shkëmbime dhe marrë më të mirën nga përvoja e këtyre universiteteve.
§ Të realizohet një organizim më i plotë i bazave të të dhënave për pedagogët, studentët.
§ Të krijohen më shumë marrëveshje me universitete me emër jashtë vendit; si dhe marrëveshje me institucione të tjera publike e private në vend.
§ Të krijohet rrjeti i ish studentëve (alumni), për të ruajtur kontaktet me ta dhe në funksion të përmirësimit dhe ecurisë së IAL.
§ Për studentët që kanë mbaruar studimet në vitin 2012 (por që nuk janë diplomuar për shkak të mos mbrojtjes së gjuhës angeleze), të ndryshohet dhe përshtatet vërtetimi apo lista e notave që iu jepet këtyrë studentëve.
§ Të integrohen dhe të rakordohen ne nivel strategjie, mekanizmat e ndryshëm të sigurimit të brendshëm të cilësisë.
§ Pyetësori i aplikuar tek studentët duhet të jetë më i detajuar, të ndërtohet në një mënyrë që të jetë i mundur të përpunohet dhe të sigurojë të dhëna sa më të plota dhe të sakta.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programin e studimit Master i Shkencave në “Menaxhim Biznesi”
§ Të reduktohet numri i madh i lëndëve të fushave të ndryshme për 1 pedagog.
§ Të plotësohet kriteri që të gjithë titullarët e lëndëve/moduleve të mbajnë gradën “Doktor”.
§ Biblioteka e institucionit, të updatohet në mënyrë të vazhdueshme me botime të reja librash dhe revista shkencore si dhe të realizohet aksesi në biblioteka elektronike.
§ Të përmirësohen mangësitë në dokumentat që verifikojnë burimet e financimit, kostot për student, dhe kapacitetet menaxhuese të këtij program studimi.
§ Pyetësori i aplikuar tek studentët duhet të jetë më i detajuar, të ndërtohet në një mënyrë që të jetë i mundur të përpunohet dhe të sigurojë të dhëna sa më të plota dhe të sakta.
§ Të botohet informacioni për realizimin e vlerësimit të brendshëm të programit të studimit.
§ Të realizohen kërkime shkencore si nga stafi akademik dhe nga studentët e këtij program studimi.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në “Financë – Kontabilitet”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Administrim Publik”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Menaxhim Biznesi”
të akreditohet.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT