KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 482, datë 03.05.2013
Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Biznes dhe Ekonomi (B.A)” të Institucionit Privat të Arsimit të Lartë “Shkolla e Lartë “Nehemia””.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Biznes dhe Ekonomi (B.A)” të Institucionit Privat të Arsimit të Lartë “Shkolla e Lartë “Nehemia””, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm të hartuar nga Fondacioni për Akreditimin Ndërkombëtare në Administrim Biznesi (FIBAA), në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit bazuar edhe në raportin e vlerësimit të jashtëm të hartuar nga Fondacioni për Akreditimin Ndërkombëtare në Administrim Biznesi (FIBAA), vëren se në përgjithësi programi e studimit, i përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Bachelor në “Biznes dhe Ekonomi (B.A)”
§ Rezultatet e të mësuarit (Learning Outcomes) duhet të konkretizohen vazhdueshmërisht dhe të bëhen të matshme.
§ Arritja e objektivave të kompetencave të përcaktura për punimet e projekteve (sipas përshkrimit të moduleve) duhet të arrihet nëpërmjet radhitjes së moduleve në kurrikul dhe nëpërmjet udhëzimeve për pjesmarrësit në projekte.
§ Në rregulloren e provimeve duhet të parashikohet edhe përmbajtja për studentët me aftësi të kufizuara.
§ Duhet shmangur paqartësa midis emrit dhe përmbajtjes së programit “Business and Economics”.
§ Metodika dhe puna shkencore, ashtu si është planifikuar edhe nga Shkolla e Lartë, duhet futur në kurrikul si qëllim në vetvete dhe duhet pasqyruar në përshkrimet e moduleve dhe jo vetëm si një ndihmë në hartimin e punimit përfundimtar.
§ Përmbushja e rekomandimeve duhet të paraqitet deri më 30 gusht 2013.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në “Biznes dhe Ekonomi (B.A)”
të akreditohet.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT