Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 47, datë 29.06.2015 PËR AKREDITIMIN INSTITUCIONAL TË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE “WISDOM UNIVERSITY”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 47, datë 29.06.2015
PËR
AKREDITIMIN INSTITUCIONAL TË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE “WISDOM UNIVERSITY”



Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë”, i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për Institucionin me përbërjen si më poshtë:

1        Institucioni i Arsimit të lartë/Universiteti: Shkolla e Lartë Universitare Private “Wisdom University”

2        Fakultetet: Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale

3        Departamentet:

     i.            Fakulteti Drejtësisë

a.       Departamenti i të Drejtës Publike

b.      Departamenti i së Drejtës Private

c.       Njësia e Kërkimit Shkencor dhe marrëdhënieve me jashtë

   ii.            Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale

a.       Departamenti i Ekonomisë

b.      Departamenti i Psikologjisë

c.       Njësia e kërkimit shkencor dhe marrëdhënieve me jashtë

VENDOSI:

1.      Institucioni Shkolla e Lartë Universitare Private “Wisdom University” i përmbush pjesërisht “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin Institucional.

Për këtë arsye, Këshilli i Akreditimit vendos të japë vlerësim pozitiv me kusht për këtë Institucion.

2.      Shkolla e Lartë Universitare Private “Wisdom University” duhet të marrë masa për të plotësuar në vijim kushtet si më poshtë:

                 i.      Të përmirësojë teknologjitë e mësimdhënies dhe të nxënit, përfshirë jo vetëm mjediset e mësimit por dhe pasurimin e bibliotekës dhe përmirësimin e kushteve të studimit e të shfrytëzimit të literaturës në to.

               ii.      Institucioni duhet të ndërmarrë masa konkrete për krijimin e një kampusi të ri universitar duke përqendruar mjediset mësimore, administrative, të shërbimit dhe çlodhëse e argëtuese për studentët.

             iii.      Institucioni duhet të fuqizojë njësinë dhe veprimtaritë e sistemit të brendshëm të sigurimit të cilësisë duke e vendosur atë mbi baza të rregullta dhe të kryhet çdo vit akademik vlerësimi, i cilësisë së mësimdhënies, për çdo anëtar të personelit akademik.

             iv.      Institucioni duhet të parashikojë financimin dhe mbështetjen veçanërisht për realizimin e përhershëm të publikimeve shkencore dhe të krijohen mundësi për mbështetje financiare për lëvizjen e anëtarëve të personelit akademik.

3.      Shkolla e Lartë Universitare Private “Wisdom University”, duhet të marrë masa për të plotësuar në vijim edhe rekomandimet si më poshtë:

                 i.      Duhen parashikuar aktivitete konkrete në mënyrë që njësia për kërkime shkencore të jetë aktive për përgatitjen dhe zbatimin e pjesëmarrjes në projekte të ndryshme të ofruara nga organizmat evropiane si FP 7, Erasmus, Tempus, etj.

               ii.      Të rritet numri i bashkëpunimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

             iii.      Të angazhohen në të ardhmen konsulentë të jashtëm për të ndihmuar funksionimin e institucionit.

4.      APAAL, përmes një Plani Vazhdimësie, të ndjekë plotësimin e kushteve të mësipërme dhe t’ia komunikojë Institucionit.

5.      Të monitorohet plotësimi i tyre nga APAAL dhe KA, përmes raportimit nga institucioni dhe verifikimit në vend të ndryshimeve që do të ndërmerren në zbatim dhe në përmbushje të kushteve dhe rekomandimeve të mësipërme.

6.      Shkolla e Lartë Universitare Private “Wisdom University” duhet të raportojë e faktojë masat e marra për plotësimin e kushteve të mësipërme dhe të rekomandimeve, në APAAL brenda 6 muajve nga dalja e aktit nënligjor të akreditimit.


Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit akreditimin institucional me kusht të Shkollës së Lartë Universitare Private “Wisdom University”