Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 424, datë 11.01.2013, Shkolla e Lartë Private “Vitrina

KËSHILLI I AKREDITIMIT
 
 
VENDIM
 
Nr. 424, datë 11.01.2013
 
 
Për akreditimin Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi”; Bachelor në “Financë – Bankë”; Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”; Bachelor në “Inxhineri Informatike”; Bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”; Bachelor në “Menaxhim Biznesi”;  Bachelor në “Menaxhim Turizmi” dhe Bachelor në “Shkenca Politike”, të Shkolla e Lartë Private “Vitrina”.
 
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi”; Bachelor në “Financë – Bankë”; Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”; Bachelor në “Inxhineri Informatike”; Bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”; Bachelor në “Menaxhim Biznesi”;  Bachelor në “Menaxhim Turizmi” dhe Bachelor në “Shkenca Politike”, të Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, të mbështetur në raportet e vetëvlerësimit, raportet e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
 
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i  përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
 
REKOMANDON:
Për Institucionin Shkolla e Lartë Private “Vitrina”
  • Të sigurohen vazhdimisht burime për të siguruar cilësinë në edukim, në mënyrë që të mos dëmtohet nga mungesa e tyre.
  • Për të përmirësuar suksesin e studentëve duhet të zhvillohen më tej mënyrat për ofrimin e arsimimit të lirë dhe për të arritur gjithashtu, një proces më formal në përhapjen e praktikave më të mira si tek personeli akademik mësimdhënës edhe në zhvillimin e qasjeve të reja pedagogjike.
  • Të inkurajohen dhe të zhvillohen mundësitë më të mira, që studentët të mund të punësohen, qoftë edhe me kohë të pjesshme, brenda institucionit.
  • Të zbulohen elementë në strukturën aktuale të programit ose të implementohen struktura të tjera, që studentët të njohin botën e sotme, gjithashtu në “kurset e zgjeruara” duhet të përfshihen kurse më profesionale për të zhvilluar studentin në mënyrë holistike.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Drejtësi”
§  Të angazhohet personeli akademik në aktivitete shkenxore të nivelit Kombëtar dhe Ndërkombëtar.
§  Të angazhohen pedagogë në procesin mësimor me lëndë të një fushe të përafërt apo homologe.
§  Të vendosen dhe të zgjerohen marrëdhëniet e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar.
§  Të përfshihen më gjerë, personel akademik me kualifikim shkencor.
§  Të pasurohet Biblioteka e Universitetit me libra të shtypur dhe të sigurohet qasja në disa database akademike botërore.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Financë – Bankë”
§  Të përbushet, jo thjesht në mënyrë formale, kriteri 2 i standartit III.1 “Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë përbën së paku 70% të personelit akademik të angazhuar për realizimin e programeve të studimeve të ciklit të parë”.
§  Të plotësohet kriteri 4 i standartit III.2 “Institucioni angazhon si titullarë të lëndëve/moduleve për programet e studimeve të ciklit të parë, personel akademik që ka së paku gradën shkencore “Doktor„ ose titullin akademik “Docent„”.
§  Të vendosen kritere për përzgjedhjen e studentëve në hyrje të këtij programi studimi.
§  Të forcohen më tej kërkesat e pedagogëve ndaj studentëve për të rritur cilësinë e tyre të përgatitjes.
§  Të pasurohet bibloteka e Institucionit, me literaturën e specializuar në fushën e këtij programi studimi.
§  Të formalizohen bashkëpunimet me institucione të njëjta ose të ngjashme të Arsimit të Lartë brenda ose jashtë vendit me zotime e detyrime konkrete të palëve.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”
§  Të vendosen kritere për përzgjedhjen e studentëve në hyrje të këtij programi studimi për të rritur cilësinë e pranimit të studentëve.
§  Të ulet ngarkesa e personelit akademik pasi është relativisht e lartë, aq më shumë kur mendohet për zhvillimin e karrierës së personelit pa tituj e grada.
§  Të sigurohen mënjëherë laboratorë të mirëfilltë didaktikë në sferën e elektronikës.
§  Të përmirësohet sistemi i ngrohjes dhe kondicionimit të ajri në këtë Institucion.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Inxhineri Informatike”
§  Të krijohen lidhje të qëndrueshme dhe bashkëpunime institucionale me institucionet shkencore brenda dhe jashtë vendit.
§  Të parashikohen mundësi formimi në të gjitha nivelet e arsimit të lartë.
§  Të pasurohet Biblioteka e Institucionit me tituj dhe botimeve shkencore e akademike.
§  Të ndërtohen metoda më efektive të punës sensibilizuese me nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës dhe qyteteve të tjerë, me synim përmirësimin e cilësisë së kontingjentit të studentëve, që do të regjistrohen në Departamentin e Informatikës së Fakultetit të Inxhinierisë.
§  Të organizohen më shpesh grupe kerkimore nё projekte aplikative e shkencore.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”
§  Të plotësohet kriteri 4 i standartit III.2 “Institucioni angazhon si titullarë të lëndëve/moduleve për programet e studimeve të ciklit të parë, personel akademik që ka së paku gradën shkencore “Doktor„ ose titullin akademik “Docent„”.
§  Të hartohet syllabuse edhe për seminaret dhe ushtrimet pasi mungesa e tyre cënon efektivitetin në realizimin me cilësi të tyre si dhe dobëson kontrollin lidhur me cilësinë.
§  Standartizimi i metodolgjisë së mësimdhënies për të gjitha syllabuset (copy-paste) cënon kreativitetin në mësimdhënie dhe nivelon specifikat e lëndëve.
§  Të ndërtohet sa më shpejtë zyra për këshillimin e karrierës pasi nuk mund të kompensohet plotësisht nga zyra e tutoriatit.
§  Të realizohet pasqyra e plotë e financimit dhe menaxhimit të burimeve financare pasi krijohet përshtypja e varësisë së mbarëvajtjes, sidomos të procesit të kualifikimit të personelit në veçanti apo aktivitetit shkencor të institucionit në përgjithësi.
§  Të plotësohet dokumentacioni në lidhje me organizimin e trajnimeve profesionale në bashkëpunim me punëdhënësit dhe raportet analitike të përfitimeve nga marrëveshjet kontraktuale.
§  Të përmirësohet më tej në të ardhmen struktura e Raportit të Vlerësimit të Brendshëm, për të evidentuar sipas standarteve të gjithë problematikat që lidhen me cilësinë.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Menaxhim Biznesi”
§  Të përbushet, jo thjesht në mënyrë formale, kriteri 2 i standartit III.1 “Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë përbën së paku 70% të personelit akademik të angazhuar për realizimin e programeve të studimeve të ciklit të parë”.
§  Të plotësohet kriteri 4 i standartit III.2 “Institucioni angazhon si titullarë të lëndëve/moduleve për programet e studimeve të ciklit të parë, personel akademik që ka së paku gradën shkencore “Doktor„ ose titullin akademik “Docent„”.
§  Të plotësohet raporti instruktor/tutor për 12 studentë.
§  Të realizohen llogaritjet e kostos për programin e studimit, si dhe kostot mesatare për student.
§  Të rritet numri i kërkimeve shkencore.
§  Të sigurohet qasja në disa database akademike botërore.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Menaxhim Turizmi”
§  T’u krijohet më shumë mundësi pedagogëve të brendshëm të pëfundojnë më shpejt dhe cilësisht mbrojtjen e doktoraturës.
§  Të rishikohen syllabuset e disa lëndëve të vitit të tretë (përputhja midis emërtimit të lëndës dhe përmbajtjes, përsëritja e çështjeve në disa lëndë etj.)
§  Për lëndët profesionale të turizmit që zhvillohen në vit të tretë të parashikohet detyre e kursit në vend të esse-së.
§  Të hartohet një metodologji e shkruar për vlerësimin e cilësisë së programit të studimit.
§  Të pasqyrohet më dukshëm veprimtaria shkencore e personelit akademik.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Shkenca Politike”
§  Të rritet numri i angazhimit të profesoratit shqiptar me tituj akademikë;
§  Të vendosen kritere për përzgjedhjen e studentëve në hyrje të këtij programi studimi për të rritur cilësinë e pranimit.
§  Të vendosen kritere për përzgjedhjen e studentëve që zotërojnë gjuhën angleze në nivelin e kërkuar për t’iu përshtatur mësimdhënies në këtë gjuhë dhe tregut të punës.
§  Të shtohen lëndë/module të tjera në përbërjen e programit mësimor.
§  Të rritet numri i personelit akademik efektivë.
§  Të përmirësohet kampusi studentor, me qëllim që Shkolla e Lartë Private Vitrina  të kthehet në një institucion arsimor me karakter mbarëkombëtar, rajonal dhe më gjerë.
 
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
 
Akreditimin Institucional të Shkolla e Lartë Private “Vitrina”
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Drejtësi”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Financë – Bankë”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Inxhineri Informatike”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Menaxhim Biznesi”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Menaxhim Turizmi”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Shkenca Politike”
të akreditohet.
 
 
BARDHYL MUSAI
 
 
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT