KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 423, datë 11.01.2013
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master Profesional në “Mësuesi”; Master Profesional në “Qeverisje e koorportave”; Master i Shkencave në “Informatikë Ekonomike, me profile: Financë dhe Bankë; Administrim Biznesi” dhe Master i Shkencave në “Psikologji, me profile: Psikologji Këshillimi; Psikologji Shkollore”, të “Universiteti Europian i Tiranës”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master Profesional në “Mësuesi”; Master Profesional në “Qeverisje e koorportave”; Master i Shkencave në “Informatikë Ekonomike, me profile: Financë dhe Bankë; Administrim Biznesi” dhe Master i Shkencave në “Psikologji, me profile: Psikologji Këshillimi; Psikologji Shkollore”, të “Universiteti Europian i Tiranës”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Master Profesional “Mësuesi”- Të rritet numri i personelit akademik efektive për të siguruar sa më mirë procesin e udhëheqjes së mikrotezave në rast se numri i studentëve do të jetë më i madh se aktualisht.
- Të bëhen përpjekje për të shtuar titujt dhe gradat shkencore të personelit akademike efektivë.
Për programin e studimit Master Profesional në “Qeverisje e koorportave”
- Të bëhet përpjekje për të rritur numrin e studentëve në këtë program studimi.
- Të bëhen përpjekje për të plotësuar hapësirën boshe të krijuar nga largimi i profesoratit të huaj si rezultat i mbylljes së projektit.
Për programin e studimit Master i Shkencave në “Informatikë Ekonomike, me profile: Financë dhe Bankë; Administrim Biznesi”
- Të realizohen studime tregu bazuar në metoda dhe instrumenta të provuara për të identifikuar pritshmëritë e punëdhënësve për aftësitë që studentët duhet të zotërojnë në përfundim të studimeve në programin e studimit Master Shkencor në Informatikë Ekonomike.
- Të krijohen mekanizma për nxitjen dhe përfshirjen e studentëve në mënyrë individuale ose në bashkëpunim me pedagogët në kërkime të mirëfillta shkencore.
- Të implementohet një sistem i qendërzuar për automatizimin e menaxhimit të studentëve dhe personelit.
- Të pasurohet faqja e internetit me të dhëna mbi proçesin dhe rezultatet e akreditimit të institucionit dhe programeve mësimore.
Për programin e studimit Master i shkencave në “Psikologji, me profile: Psikologji Këshillimi; Psikologji Shkollore”
- Të realizohet përfshirja e studentëve në veprimtari kërkimore shkencore.
- Të realizohet një studim i plote i tregut të punës në terren për rëndësinë dhe zhvillimin e programeve të studimit në nivel Master i Shkencave.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në “Mësuesi”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në “Qeverisje e koorportave”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Informatikë Ekonomike”, me profile:
a. Financë dhe Bankë
b. Administrim Biznesi
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Psikologji”, me profile:
a. Psikologji Këshillimi
b. Psikologji Shkollore
të akreditohet.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT