KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 411, datë 11.01.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. SHKENCA KOMPJUTERIKE TË APLIKUARA
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. SHKENCA KOMPJUTERIKE TË APLIKUARA
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet përhapjen e Programeve të reja të studimit, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Shkenca Kompjuterike të aplikuara”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Në pjesën dërrmuese, pedagogu i lëndës/modulit nuk e ka kualifikimin e nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore lëndën/modulin. 61.5% nuk plotësojnë kriterin 2 të standardit III.2: “Titullari i lëndës/modulit në programet e studimeve “Master i Shkencave” ka të paktën gradën shkencore “Doktor”.
- Ka mospërputhje midis Planit Mësimor dhe programeve të lëndëve/moduleve përsa i përket qënies së lëndës e detyrueshme ose me zgjedhje. Kështu: lënda “Metodat e kërkimit” në Planin mësimor “e detyruar”, ndërsa në Programin e lëndës “me zgjedhje”; lënda “e-commerce dhe e-business” në Planin Mësimor “me zgjedhje”, ndërsa në Programin e lëndës “e detyruar”; lënda “Programim paralel” në Planin Mësimor “me zgjedhje”, ndërsa në Programin e lëndës “e detyruar” si dhe lënda “Cloud Computing” në Planin Mësimor “me zgjedhje”, ndërsa në Programin e lëndës “e detyruar”.
- Në Rregulloren e Programit të Studimit dhe në Formularin tip të aplikimit ka disa pasaktësi të tilla si: Në nenin 5 thuhet “... është shkollë 1-vjeçare...; Në nenin 9 dhe 10 thuhet: Përgjegjësi i Departamentit është organ drejtues... Përgjegjësi i Departamentit është autoritet drejtues dhe jo organ drejtues...
- Hera herës në vend të Master Shkencor thuhet Master Profesional apo në vend të fjalëve Bachelor dhe Master përdoret terminologjia e vjetër, respektivisht DNP dhe DND.
- Në programet e lëndëve paraqiten mospërputhje për frekuentimin e detyruar, në përputhje me politikën e Universitetit është 75%, ndërsa në Rregulloren e Programit të Studimit (në përputhje edhe me udhëzimin përkatës) thuhet se duhet të jetë 80%.
- Ka mospërputhje për kreditet e diplomës, ku në Rregulloren e Programit të Studimit thuhet se diploma ka 18 KREDITE, ndërsa në Planin Mësimor thuhet se ka 35 KREDITE.
- Modeli i diplomës është për Master Profesional dhe jo për Master Shkencor.
- Në listën e diplomave Bachelor dhe DIND me plotësim kreditesh nuk është specifikuar sasia e krediteve që duhen plotësuar. Nga ana tjetër kjo listë është identike me listën e diplomave Bachelor dhe DIND pa plotësim kreditesh.
- Në formularin e aplikimit dhe në suplementin e diplomës thuhet se gjuha e përdorur në mësimdhënie/provim është shqip dhe anglisht, por kjo e dyta vetëm sa përmendet dhe nuk jepet asnjë sqarim apo argument se si do të realizohet.
- Një pjesë e CV të personelit akademik jepen vetëm në gjuhën angleze.
- Ka mospërputhje edhe për të dhënat në lidhje me Vendimin e Senatit Akademik, pasi vetëm dokuementi mban Nr. 30 ndërkohë që në formularin e aplikimit është Nr. 31.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Shkenca Kompjuterike të aplikuara”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§ Të paraqitet i plotë dhe me të gjithë elementet përbërës plani mësimor për këtë program studimi.
§ Të shmangen mospërputhjet në lidhje me tezën e diplomës pasi diku parashikohet me 30 kredite, ndërsa në një rast tjetër parashikohet me 12 kredite.
§ Të realizohet unifikimi i Planit Mësimor të dhënë paraprakisht me atë të dhënë në suplementin e diplomës.
§ Të rregullohen mospërputhjet për të dhënat e frekuentimit të detyruar të studentëve, pasi në përputhje me politikën e Universitetit, është 75%, ndërsa në Rregulloren e Programit të Studimit (në përputhje edhe me udhëzimin përkatës) thuhet se duhet të jetë 80%.
§ Në listën e diplomave Bachelor dhe DIND me plotësim kreditesh duhet specifikuar sasia e krediteve që duhen plotësuar dhe kjo listë nuk mund të jetë identike me listën e diplomave Bachelor dhe DIND pa plotësim kreditesh.
§ Nuk paraqitet asnjë sqarim apo argument se si do të realizohet mësimdhënia në gjuhën angleze, ashtu siç përmendet në formularin e aplikimit dhe në suplementin e diplomës.
§ Të krijohet mundësia për të plotësuar kriterin 1, standardi III.2 “Përgjegjësi i programit ka të paktën titullin “Profesor i asociuar” ose, gradën shkencore “Doktor” të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe përvojë akademike në këto universitete”.
§ Të parashikohet në këtë program studimi zhvillimi i praktikave profesionale.
§ Të realizohet një studim i mirëfilltë tregu, dhe jo të përshkruhen mundësitë e punësimit.
§ Të plotësohet kriteri 3, standardi III.1 “Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në programet e studimeve të ciklit të dytë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë përbën së paku 70% të personelit akademik të angazhuar për realizimin e programeve respektive të studimeve”.
§ Të rishikohet kushti specifik i notës mesatare ≥6.5 për t’u pranuar në këtë program studimi pasi duket i tepërt dhe jo realist, një kusht i tillë specifik do të ishte normal për një Program Studimi Master Shkencor.
§ Të rregullohen mospërputhjet midis programeve të shkurtuara të lëndëve/moduleve ku shuma e orëve në dhe jashtë auditorit nuk përkon me numrin e krediteve përkatëse.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike të aplikuara
të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për programin e studimit: Master Profesional në “Shkenca Kompjuterike të aplikuara”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT