Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 408, datë 11.01.2013, Shkolla e Lartë Private “Universiteti Metropolitan Tirana

VENDIM
 
I
 
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
 
Nr. 408, datë 11.01.2013
 
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1.   MENAXHIM NË INXHINIERI
2.   INXHINIERI INFORMATIKE
3.   INXHINIERI TELEKOMUNIKACIONI
4.   EKONOMIK - MBA
 
Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 375 datë 17.09.2012, të Programeve të reja të studimit, Master i Shkencave, të kërkuar nga Shkolla e Lartë Private “Universiteti Metropolitan Tirana”, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
 
1.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Menaxhim në Inxhinieri”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të merren masa që pedagogët e angazhuar, të plotësojnë kriterin e standardeve shtetërore, që pedagogët titullarë të jenë të paktën me gradën shkencore Doktor.
 
2.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të realizohet një studim real tregu për formimin në këtë fushë.
§  Të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpuniim me Universitetin Politeknik të Tiranës në mënyrë që struktura e personelit akademik të angazhuar në këtë program studimi të jetë në përputhje me kriterin “70% e personelit akademik të angazhuar të jetë personel akademik i punësuar me kohë të plotë”.
§  Të plotësohen syllabuset si “Teori Informacioni”; “Rrjeta të lëvizshme”; “Sisteme në radiofrekuencë” dhe “Sistemet mikrovalore” me pedagogun hartues apo përgjegjës të programit.
 
3.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Inxhinieri Telekomunikacioni”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpuniim me Universitetin Politeknik të Tiranës në mënyrë që struktura e personelit akademik të angazhuar në këtë program studimi të jetë në përputhje me kriterin “70% e personelit akademik të angazhuar të jetë personel akademik i punësuar me kohë të plotë”.
§  Të plotësohen syllabuset si “Telekomunikacion me fibra optike”; “Rrjeta të lëvizshme”; “Sisteme në radiofrekuencë” dhe “Sistemet mikrovalore” me pedagogun hartues apo përgjegjës të programit.
 
4.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Ekonomik MBA”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Lënda “Sistemet e informacionit të menaxhimit” duhet të qëndrojë vetëm si lëndë e detyrueshme dhe duhet të hiqet si lëndë me zgjedhje siç është paraqitur në tabelën e fq.6.
§  Të plotësohen të gjitha syllabuset e lëndëve me elementin për ngarkesën mësimore jashtë auditorit.
 
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
 
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Universiteti Metropolitan Tirana”, për programet e studimit Master i Shkencave në “Menaxhim në Inxhinieri”, Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike”, Master i Shkencave në “Inxhinieri Telekomunikacioni” dhe Master i Shkencave në “Ekonomik MBA”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
  
BARDHYL MUSAI
 
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT