VENDIM
Nr. 4, datë 05.01.2015
PËR
LICENSIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË, MASTER PROFESIONAL NË “MËSIMDHËNIE - PËR MËSUESIT E BIOLOGJI-KIMISË”, TË INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”, KORÇË
Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, mbështetur në procesin dhe rezultatet e vlerësimit paraprak të programit të studimit me elementët:
a) Emërtimi i programit: Master Profesional në “Mësimdhënie - për mësuesit e Biologji - Kimisë”
b) Cikli i studimit: Cikli i Dytë
c) Institucioni që e ofron: Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë
d) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane
e) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 1.5 vite/3 semestra
f) Kredite (ECTS): 90 ECTS
g) Forma e studimi: me kohë plotë
h) Gjuha e studimeve: Shqip
i) Statusi i diplomës: Vetëm nga IAL propozuese
j) Numri i studentëve të parashikuar për vit akademik: 10-30 studentë në vit akademik
që përfundon me diplomë Master Profesional në “Mësimdhënie - për mësuesit e Biologji - Kimisë”.
VENDOSI:
1. Programi i studimit Master Profesional në “Mësimdhënie - për mësuesit e Biologji - Kimisë” nuk i përmbush standardet e cilësisë në lidhje me objektivat formuese dhe argumentimin e programit në raport me kërkesën e tregut të punësimit, strukturën kurrikulare dhe përmbajtjen në disa lëndë mësimore, për mospërputhje të emërtimeve të lëndëve me objektivat e formimit dhe përmbajtjen, dhe për pamjaftueshmëri të stafit akademik të këtij Fakulteti për të mbuluar një ngarkesë akademike mbi atë aktuale. Për këto arsye KA jep vlerësim përfundimtar negativ.
2. Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që programi i studimit, Master Profesional në “Mësimdhënie - për mësuesit e Biologji - Kimisë”: të mos hapet.
Duke qenë se ky program studimi është hapur tashmë me Urdhër Nr. 565, datë 23.11.2011 dhe ka aktualisht studentë, i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të mos akordojë kuota studimi në vijim për këtë program dhe të parashikojë mundësi transferimi të studentëve në proces në programe të ngjashme në Institucione të tjera të Arsimit të Lartë.