Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 391, datë 26.10.2012, Shkolla e Lartë Private "Universiteti Amerikan i Tiranës"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 391, datë 26.10.2012
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. DREJTËSI, me profile:
a. E Drejtë Ndërkombëtare dhe Europiane
b. Ligji në teknologjitë e Informacionit, Media dhe Komunikacioni
c. E Drejtë Ndërkombëtare Biznesi
d. E Drejtë bankare dhe Rregullim Financiar
e. E Drejtë Tregtare dhe e Koorporatave
f. Drejtësi Penale dhe Kriminologji

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. FIZIOTERAPI, me profile:
a. Rehabilitetim i çrregullimeve muskuloskeletike
b. Metodologji të terapisë manuale
c. Rehabilitim mjekësor sportiv

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Master i Shkencave dhe Master Profesional, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Universiteti Amerikan i Tiranës”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Drejtësi, me profile: E Drejtë Ndërkombëtare dhe Europiane; Ligji në teknologjitë e Informacionit, Media dhe Komunikacioni; E Drejtë Ndërkombëtare Biznesi; E Drejtë bankare dhe Rregullim Financiar; E Drejtë Tregtare dhe e Koorporatave; Drejtësi Penale dhe Kriminologji”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të rregullohet problemet me dokumentacionin e këtij programi studimi.
  • Të plotësohet personeli akademik që do të angazhohet në këtë program.
  • Të merren masa që personeli akademik të ketë kualifikimin e duhur për zbatimin e PS.
  • Të rregullohen syllabuset të cilat paraqesin probleme në hartimin e tyre, sidomos në literaturën, që është shpesh shumë e varfër dhe, për rrjedhojë, jo e mjaftueshme për një PS të tillë.
  • Të rregullohet shpërndarja e ngarkesës mësimore në përputhje me aktet ligjore.
  • Organizimi i programit të studimit të paraqitet i qartë dhe i kuptueshëm.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Fizioterapi, me profile: Rehabilitetim i çrregullimeve muskuloskeletike; Metodologji të terapisë manual; Rehabilitim mjekësor sportiv”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimin: Të merren masa që personeli akademik të ketë kualifikimin e duhur për zbatimin e këtij programi studimi.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Master Profesional në Fizioterapi
të hapet


Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Universiteti Amerikan i Tiranës”, për programin e studimit: Master i Shkencave në “Drejtësi, me profile: E Drejtë Ndërkombëtare dhe Europiane; Ligji në teknologjitë e Informacionit, Media dhe Komunikacioni; E Drejtë Ndërkombëtare Biznesi; E Drejtë bankare dhe Rregullim Financiar; E Drejtë Tregtare dhe e Koorporatave; Drejtësi Penale dhe Kriminologji”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.


BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT