Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 381, datë 26.10.2012, Universiteti "Fas S. Noli"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 381, datë 26.10.2012


Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. GJUHË - LETËRSI SHQIPE DHE ITALIANE

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. MËSUES I CIKLIT TË ULËT

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. FINANCË
2. MJEKËSI BIMORE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Gjuhë - Letërsi Shqipe dhe Italiane”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Mësues i Ciklit të Ulët”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ.

3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Financë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
  • Të përfshihen në programe elementë metodologjikë të kërkimit, temat e planifikuara dhe punimet e kursit apo rastet e studimit, apo detyrime të tjera.
  • Të pasqyrohen të dhëna për kërkimin shkencor, i cili duhet të integrojë fuqishëm modelimin financiar,metodologjine e kërkimit e të jetë pjesë integrale e syllabyseve në pjesën më të madhe të lëndëve.
  • Të përfshihet si formë mësimdhënie edhe puna në laborator kompjuteri në lëndë të financës, kontabilitetit apo manaxhimit.
  • Të synohet që për çdo temë apo grup tema të ketë artikuj apo materiale të rekomanduara shtojcë.
  • Të reflektohet konkretisht bashkëpunimi me universitete të huaja, apo edhe brenda vendit, në syllabuset e planin e zhvillimit të lëndëve, lista mund të mos jetë statike, mund të ketë edhe dublime me forca shkencore apo akademike jashtë fakultetit, brenda e jashtë vendit.
  • Të punohet intensivisht për përmirësime në drejtim të ambjenteve, bibliotekës, ambjenteve kompjuterike,etj.
  • Planifikimi i punimeve apo detyrave të kursit të jetë më i konkretizuar, me objekt apo fusha të caktuara.

4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Mjekësi Bimore”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
  • Moduli Parimet e modelimit dhe Metodat e Parashikimit” të rishkruhet dhe të ofrohet nga persona me përvojë në statistikë dhe matematikë, të cilët kanë përvojë në modelimin e proceseve biologjike.
  • Moduli “Kërkimi shkencor dhe Analiza Instrumentale” të konceptohet në formën e një moduli “Pajisje laboratorike dhe Analiza”.
  • Të shihet mundësia e përfshirjes së lëndëve me zgjedhje ku të përfshihet edhe kultivimi i bimëve të arave së bashku me kultivimin e perimeve dhe të frutave që sot janë module të detyrueshme. Këto module të jenë të detyrueshme për studentë që vijnë nga drejtime studimi jashtë bujqësisë.
  • Të ofrohen module të drejtimit biologjik për studentët që kanë kryer studimet në drejtime bujqësore.
  • Të shihet mundësia e një ndarje më të mirë të moduleve, që pedagogët e jashtëm të mos ngarkohen me nga 4 module.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Bachelor në Gjuhë - Letërsi Shqipe dhe Italiane
të mos hapet

Programi i Studimit: Master Profesional në Mësues i Ciklit të Ulët
të mos hapet

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Financë
të hapet

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Mjekësi Bimore
të hapet

BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT