VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 368, datë 17.09.2012
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. DREJTËSI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master i Shkencave në “Drejtësi”, të kërkuar nga Shkolla Private e Arsimit të Lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Drejtësi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të saktësohet emërtimi i Institucionit, Universitet apo Shkollë e lartë në dokumentat e aplikimit.
- Të përmirësohet lista e personelit akademik që do të angazhohet në këtë program studimi pasi 3 prej tyre gëzojnë titullin Master dhe si të tillë nuk kanë kualifikimin e nevojshme për të qenë titullar lënde.
- Të zbatohet kriteret e shkrimit t? bibliografisë; të shfrytëzohen librat që janë përkthyer tashmë në gjuhën shqipe, apo në gjuhë të huaja p.sh., “E drejta kushtetuese” dhe “Procedura penale” nuk kanë asnjë literaturë në gjuhë të huaj.
- Të përditësohet literatura dhe bibliografia e lëndës “E drejta ndërkombëtare”.
- Të rregullohet ngarkesa mësimore e madhe e lëndëve “E Drejta e shoqërisë”; “Procedurë penale” dhe “E drejtë penale” dhe nuk mund të mbulohet nga një pedagog pa gradë shkencore dhe pa përvojën e mjaftueshme.
- Të ndryshohet literatura në disa lëndë pasi ajo përsëritet në disa prej tyre.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni aplikues Shkolla Private e Arsimit të Lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, për programin e studimit: Master i Shkencave në “Drejtësi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
DREJTORI
AVNI MESHI