VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 363, datë 17.09.2012
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare, me profile: Studime Europiane; Gjeopolitikë dhe Siguri Rajonale”; Master i Shkencave në “Administrim Publik, me profile: Politika publike dhe BE; Politika publike dhe qeverisje” dhe Master Profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”, të “Albanian University”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare, me profile: Studime Europiane; Gjeopolitikë dhe Siguri Rajonale”; Master i Shkencave në “Administrim Publik, me profile: Politika publike dhe BE; Politika publike dhe qeverisje” dhe Master Profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”, të “Albanian University”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare, me profile: Studime Europiane; Gjeopolitikë dhe Siguri Rajonale”
1. Të përfshihet në kurrikulën e programit “Praktika Mësimore” me kreditet përkatëse.
2. Të evidentohet lidhja e programit Bachelor me programin Msc për të realizuar një raport sa më efektiv të njohurive që përsëriten dhe njohurive që jepen për herë të parë.
3. Të hartohen syllabuse edhe për seminaret në mënyrë që të rritet cilësia e tyre si dhe të përmirësohet kontrolli për to.
4. Të përmirësohet raporti personel efektiv/personel i jashtëm në kërkesat e standardit.
5. Të plotësohet kërkesa e standardit që të gjithë titullarët e lëndëve/moduleve të kenë së paku gradën shkencore “Doktor”.
6. Të përmirësohet puna e njësisë së KSBC në hartimin e RVB sipas standardeve dhe kritereve të APAAL-it.
7. Të filtrohen përsëritjet e temave në lëndët/modulet ku ato konstatohen (psh “Institucione Ndërkombëtare” dhe “E drejta e BE-së” etj).
8. Të vendoset biblioteka e Departamentit në një mjedis më të përshtatshëm.
9. Të synohet dhënia e disa moduleve në gjuhë të huaj.
10. Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programet e studimit Master i Shkencave në “Administrim Publik, me profile: Politika publike dhe BE; Politika publike dhe qeverisje” dhe Master Profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”
1. Në të ardhmen të shihet nga Albanian University mundësia e rritjes së numrit të pedagogëve me kohë të plotë dhe me grada e tituj shkencorë sepse kjo gjë do ta ndihmonte atë të plotësonte standardet lidhur me numrin e pedagogëve me kohë të plotë e të krijonte një profil të plotë të sajin (aktualisht rreth 15% e pedagogëve janë me kohë të plotë për programet MSH Administrim Publik me profile: a) Politika publike dhe BE, b) Politika publike dhe qeverisje, dhe MP Qeverisje dhe Administrim Publik, pra nuk e plotëson këtë standard; problem nga i cili vuajnë shumica dërrmuese e universiteteve private në Shqipëri);
2. Biblioteka të pasurohet me libra të autorëve të njohur të vendit dhe të huaj dhe të bëhen abonime në libraritë elektronike të universiteteve të njohura të huaja.
3. Lidhur me Zyrën e Karrierës në AU sugjerohet që t’i jepet hapësirë fizike më e madhe kësaj zyre në mënyrë që t’i kryejë më mirë funksionet e veta, dhe të japë një perceptim më të mirë në këndvështrimin e studentëve dhe palëve të tjera të interesuara.
4. Për programin MP Qeverisje dhe Administrim Publik, të shihet mundësia që në semestrin e fundit të studimeve master të përfshihen të paktën dy lëndë me zgjedhje, praktikë e hasur në shumë universitete të njohura botërore.
5. Të bëhet shumë promocion për tërheqjen në këto profile studimi të studentëve të rinj me rezultate të larta nga sistemi i studimeve Bachelor, me qëllim që të investohet shumë tek ata dhe të bëhen në të ardhmen lidera përkatësisht në fushën e administrimit publik.
6. Duhet vënë theksi në përmirësimin dhe azhornimin e vazhdueshëm të programeve të këtyre profileve duke u bazuar në literaturat më bashkëkohore dhe të autorëve të njohur të vendit dhe botërorë.
7. Të gjendet mënyra që lënda/syllabusi Acquis Communitaire të emërtohet në gjuhën shqipe, meqë PS zhvillohet në gjuhën shqipe.
8. Biblioteka të mbyllet e të izolohet nga zhurmat, të zgjerohet e të përshtatet për t’i krijuar më shumë komoditet të interesuarve për përdorimin e bibliotekës në AU.
9. Lidhur me plotësimin e kriterit 2 të standardit III.2, konstatohet se janë katër titullarë lëndësh/modulesh që janë në proces doktorature ose që janë me master.
10. Të sigurohet që studentët e këtyre programeve të studimit të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me profile:
a. Studime Europiane
b. Gjeopolitikë dhe Siguri Rajonale
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Administrim Publik, me profile:
a. Politika publike dhe BE
b. Politika publike dhe qeverisje
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në Qeverisje dhe Administrim Publik
të akreditohet.
DREJTORI
AVNI MESHI