KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 32 datë 28.07.2009
Për akreditimin Institucional dhe të Programeve të Studimit, Diplomë e Nivelit të Parë në: “Menaxhim Biznesi”, “Financë - Kontabilitet”, “Drejtësi”, “Shkenca Politike”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Marin Barleti”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin institucional dhe të Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë në Menaxhim Biznesi, Diplomë e Nivelit të Parë në Financë – Kontabilitet, Diplomë e Nivelit të Parë në Shkenca Politike dhe Diplomë 4- vjeçare e Nivelit të Parë në Drejtësi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Marin Barleti”, të kryer në periudhën Janar – Korrik 2009, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë si dhe raportimin e ekspertëve të jashtëm, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për akreditimin institucional dhe të programeve të studimit Diplomë e Nivelit të Parë në: Menaxhim Biznesi, Financë – Kontabilitet, Shkenca Politike; si dhe Diplomë 4-vjeçare e Nivelit të Parë në Drejtësi; pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim rekomandon:
1. Të sigurohet qëndrueshmëria e stafit akademik duke rregulluar raportin personel akademik efektiv/personel akademik me kontratë dhe të rritet niveli i kualifikimit të tij.
2. Të stabilizohet kurrikula e programeve duke shmangur ndryshimet e shpeshta të lëndëve.
3. Të forcohet roli i njësive bazë (departamenteve) duke shmangur përqendrimin e kompetencave në njësitë kryesore dhe në rektorat.
4. Të zbatohen rregullat të qarta për rekrutimin e studentëve, duke synuar rritjen e nivelit cilësor të kontigjentit.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Shkolla e Lartë Universitare Private “Universiteti Marin Barleti” të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë në Menaxhim Biznesi të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë në Financë - Kontabilitet të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë në Shkenca Politike të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë 4 – vjeçare e Nivelit të Parë në Drejtësi të akreditohet me kusht
Në zbatim të rekomandimeve të mësipërme, Shkolla e Lartë Universitare Private “Universiteti Marin Barleti”, duhet të përmbushë detyrimet brenda periudhës 1-vjeçare.
KËSHILLI i AKREDITIMIT