KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 263 datë 27.09.2011
Për Programet e Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktoraturë (Dr) në:
1. HORTIKULTURË E QËNDRUESHME
2. GJUHËSI E APLIKUAR DHE KRAHASUESE
3. FILOZOFI EDUKIMI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Doktoraturë, të kërkuara nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Hortikulturë e qëndrueshme”, përmbush standardet e cilësisë dhe jep vlerësimin Pozitiv me sugjerimet e mëposhtme:
· Të plotësohet më qartë misioni i programit të studimit të kërkuesve të rinj në fushën Hortikulturës së qëndrueshme.
· Të saktësohen më mirë drejtimet e studimit në hortikulturën e qëndrueshme.
· Të formulohet qartë platforma e Doktoraturës duke theksuar se kërkimi do të jetë në drejtim të Hortikulturës së qëndrueshme.
· Të përputhen nënfushat e përcaktuara në program me ato të Hortikulturës së qëndrueshme, pasi ato ngjajnë si tematika të titujve të gazetave apo revistave dhe nuk kanë një objekt konkret.
· Të rregullohen mospërputhjet e titujve të modulit dhe sillabuseve.
· Të saktësohet mënyra e realizimit të thellimit teorik që parashikon 60 kredite;
· Të paraqiten të dhëna të qarta për pranimin e kandidatëve në këtë program studimi.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Gjuhësi e aplikuar dhe krahasuese” jep vlerësim Negativ pasi ka mangësi të theksuara, disa prej të cilave janë:
· Misioni i programit të studimit nuk paraqitet i saktë dhe i plotë duke patur parasysh që objektivi kryesor duhet të jetë përgatitja e kërkuesve të rinj në fushën e gjuhësisë së aplikuar.
· Programi nuk është në kuadrin e një projekti kërkimor sipas kërkesave të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe të VKM.
· Lëndët teorike janë të copëtuara dhe jo në një tërësi unike për një program të studimeve doktorale
· Ka mospërputhje midis titullit dhe objektivave; qoftë atij kryesor, qoftë objektivave të zbërthyera në vazhdim.
· Platforma e Doktoraturës është e paqartë dhe jo e plotë.
· Personeli akademik i brendshëm nuk është i pamjaftueshëm, është më pak se 60%.
· Literatura është e papërzgjedhur për një cikël të studimeve doktorale, duke përfshirë edhe libra për mësuesit e shkollës 9-vjeçare.
· Literatura në pjesën më të madhe nuk është e aksesueshme nga studentët në bibliotekën e Universitetit
· Ka mospërputhje të titujve të modulit dhe sillabuseve.
· Mënyra e realizimit të thellimit teorik që parashikon 60 kredite nuk është e plotë; mënyra e realizimit dhe shpërndarja në vite, duke mos krijuar konfuzion.
· Të paraqiten të dhëna të qarta për pranimin e kandidatëve në këtë program studimi. Nuk ka kërkesa për zotërimin e gjuhëve ballkanike nga kandidatët që është edhe objekti i programit.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Filozofi Edukimi” jep vlerësim Negativ pasi ka mangësi të theksuara, disa prej të cilave janë:
· Mungojnë të dhënat për përbërjen e Këshillit të Profesorëve.
· Ndarja e ngarkesës mësimore në planin mësimor, sipas formave të mësimdhënies është e paqartë dhe e paplotë.
· Marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara dhe me ato të huaja, që është kërkesë e VKM, mungojnë.
· Kriteri që 60% e personelit akademik duhet të jetë i angazhuar me kohë të plotë, nuk është i plotësuar.
· CV-të e personelit akademik të ftuar nuk janë paraqitur.
· Mungojnë të dhënat për koordinatorin e programit të studimit.
· Të dhëna të detajuara në lidhjen me mobilitetin e studentëve për një periudhë kohore të paktën 3 muaj mungojnë.
· Literatura në pjesën më të madhe nuk është e aksesueshme nga studentët në bibliotekën e Universitetit.
· Ka mospërputhje të titujve të modulit dhe sillabuseve.
· Misioni i programit të studimit nuk paraqitet i saktë dhe i plotë duke patur parasysh që objektivi kryesor duhet të jetë përgatitja e kërkuesve të rinj në fushën e gjuhësisë së aplikuar.
· Programi nuk është në kuadrin e një projekti kërkimor sipas kërkesave të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe të VKM.
· Lëndët teorike janë të copëtuara dhe jo në një tërësi unike për një program të studimeve doktorale.
· Ka mospërputhje midis titullit dhe objektivave; qoftë atij kryesor, qoftë objektivave të zbërthyera në vazhdim.
· Platforma e Doktoraturës është e paqartë dhe jo e plotë.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 424, datë 02.06.2010, e ndryshuar, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Doktoraturë në Hortikulturë e qëndrueshme të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Gjuhësi e aplikuar dhe krahasuese të mos hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Filozofi Edukimi të mos hapet
KËSHILLI i AKREDITIMIT