Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 253 datë 16.09.2011 - SHLUP "Justicia"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 253 datë 16.09.2011

Për hapjen e Fakultetit të Shkencave Humane të Zbatuara dhe Edukimit, në Shkollën e Lartë Private “Justicia”.
Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë, që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. STUDIME PËR ZHVILLIMIN HUMAN DHE FAMILJEN
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë, që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. MËSUESI PËR ARSIMIN E MESËM TË LARTË NË SOCIOLOGJI DHE SHKENCA SOCIALE
2. MËSUESI PËR ARSIMIN E MESËM TË ULËT NË GJEOGRAFI
3. MËSUESI PËR ARSIMIN E MESËM TË LARTË NË GJEOGRAFI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Fakultetit të Shkencave Humane të Zbatuara dhe Edukimit si dhe për hapjen e Programeve të reja të studimit, të kërkuar nga Shkolla e Lartë Private “Justicia”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Organizimi i Fakultetit të Shkencave Humane të Zbatuara dhe Edukimit, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Studime për zhvillim human dhe familjen”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të paraqitet personeli akademik në lëndët “Shkathtësi Komunikimi/Sjellje Organizative”; “Teori personaliteti” dhe “ Teknologji mësimdhënie/Informatikë”, etj.
· Të evitohet njehsimi identik midis orëve të seminareve apo ushtrimeve me orët e leksioneve.
· Të rishikohet literatura në mënyrë që të evitohen përkthimet jo të mira në gjuhën shqipe; të paraqitet me një rend hierarkik të konceptit dhe kronologjië dhe të paraqitet e ndarë në literaturë bazë dhe literaturë ndihmëse.
· Literatura e paraqitur për orët e seminareve duhet të ilustrojë konkretisht leksionet.
· Të evitohen mbivendosjet në lëndë si p.sh “Prindërimi’, “Dinamikat ndërpersonale të familjes”, “Politikat e zhvillimit human” e tjerë.
· Të vendosen lektorë brenda fushës se tyre të ekspertizës.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, MP në “Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Lartë në Sociologji dhe Shkencat Sociale”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat e mëposhtëm:
· Programi nuk jep mundësi të identifikohet qartë se çfarë kapacitetesh humane formëson.
· Në tregun e punës këta të diplomuar nuk mund të kuptojnë se cilët konkurojnë dhe cila është fusha e tyre e specializimit, duke qenë se është i profilizuar në sociologji dhe shkencat sociale.
· Ekzistojnë një miks lëndësh që nuk kuptohet se çfarë formësojnë.
· Nuk janë përcaktuar fushat nga të cilat do të pranohen studentët.
· I gjithë fokusi dhe misioni dhe domosdoshmërisht kërkon një përmbajtje tjetër për secilin profil.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, MP në “Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Lartë në Gjeografi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat e mëposhtëm:
· Nuk përputhen të dhënat për formën e studimit që do të ketë ky program studimi.
· Praktika është dhënë në kategorinë D (me zgjedhje) dhe tema e diplomës në kategorinë E.
· Në planin mësimor nuk janë dhënë lëndët e ndara sipas moduleve.
· Në planin mësimor nuk janë dhënë të ndara kreditet dhe orët mësimore sipas lëndëve.
· Masa e detyruar e frekuentimit të aktiviteteve në auditor ka luhatje nga kriteri (70 % kundrejt kriterit 80%).
· Në të gjitha syllabuset mungojnë detyrimet e studentit për lëndën.
· Kreditet e lëndëve dhe orët për leksionet dhe seminaret të dhëna në planin mësimor, të paraqitur si shtojcë në propozimin, për hapjen e programit, ndryshojnë me ato të dhëna në planin mësimor të paraqitur më vete.
· Në syllabusin e lëndës “Zhvillimi dhe të nxënët” emri i pedagogut përgjegjës nuk është i njëjtë me atë në planin mësimor.
· Në lëndët si “Zhvillimi dhe të nxënët”; “Kurrikula shkollore”; “Problematika dhe politika mjedisore” dhe “Metodat bashkëkohore të mësimit të gjeografisë”, literatura mungon ose nuk është e ndarë në literaturë e detyruar dhe ndihmëse.
5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, MP në “Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Ulët në Gjeografi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat e mëposhtëm:
· Nuk përputhen të dhënat për formën e studimit që do të ketë ky program studimi.
· Ngarkesa totale në auditor për vitin e parë nuk është në përputhje me kriterin e Udhëzimeve.
· Praktika është dhënë në kategorinë D (me zgjedhje) dhe tema e diplomës në kategorinë E.
· Për syllabuset, “Probleme dhe Politikat Mjedisore”, “Metodat Bashkëkohore të Mësimit te Gjeografisë” dhe “Zhvillimi dhe të nxënët” nuk është dhënë e ndarë literatura bazë nga ajo ndihmëse.
· Në të gjitha syllabuset mungojnë detyrimet e studentit për lëndën.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Fakulteti i Shkencave Humane të Zbatuara dhe Edukimit, Shkolla e Lartë Private “Justicia” të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Lartë në Sociologji dhe Shkencat Sociale të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Lartë në Gjeografi të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Mësuesi për Arsimin e Mesëm të Ulët në Gjeografi të mos hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Justicia”, për programin e studimit: B.Sc. në “Studime për zhvillim human dhe familjen”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT