KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 246 datë 16.09.2011
Për riorganizimin e Fakultetit të Mësuesisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Edukimit, të Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”.
Për hapjen e Fakultetit të Arkitekturës dhe të Arteve Figurative, të Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”.
Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. PSIKOLOGJI
2. SHKENCA POLITIKE DHE MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE
3. MËSUES I ARSIMIT FILLOR
4. MËSUES I ARSIMIT PARASHKOLLOR
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. SHKENCA EDUKIMI
2. POLITIKAT ARSIMORE DHE MENAXHIM ARSIMI
Për Programet e Integruara të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. FARMACI
2. ARKITEKTURË
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për riorganizimin e Fakultetit të Mësuesisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Edukimit; për hapjen e Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve Figurative si dhe për hapjen e Programeve të reja të studimit, të kërkuar nga IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Riorganizimi i Fakultetit të Mësuesisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Edukimit, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Organizimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve figurative, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Psikologji”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
·Të paraqiten të dhëna për vlerësimin e nevojave të tregut.
·Të paraqiten të dhëna sasiore për disponibilitetin e personelit që do të angazhohet për tutoriat, udhëheqje dhe mbikqyrjen e studentëve në praktika profesionale dhe tema diplome.
·Lëndët si “Neuroshkenca dhe neuropsikologjia” dhe “Psikofiziologjia” të paraqiten jo me tematika të ngjashme të formimit shkencor natyror dhe jopsikologjik.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Mësues i Arsimit Fillor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, B.Sc. në “Mësues i Arsimit Parashkollor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
7. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, MP në “Shkenca Edukimi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerime:
·Të specifikohen më mirë fushat e punësimit për këtë program studimi.
·Të paraqitet vendimi i Senatit Akademik për miratimin e Programit të Studimit.
·Të paraqiten CV e personelit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
·Të përmirësohet raporti i personelit të angazhuar me kohë të plotë që të plotësojë kriterin të paktën 70% e personelit të angazhuar në mësimdhënie.
·Të pasqyrohen marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet ku do të zhvillohen praktikat profesionale.
8. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, MP në “Politikat arsimore dhe menaxhim arsimi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerime:
·Të specifikohen më mirë fushat e punësimit për këtë program studimi.
·Të paraqitet vendimi i Senatit Akademik për miratimin e Programit të Studimit.
·Të paraqiten CV e personelit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
·Të përmirësohet raporti i personelit të angazhuar me kohë të plotë që të plotësojë kriterin të paktën 70% e personelit të angazhuar në mësimdhënie.
·Të pasqyrohen marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet ku do të zhvillohen praktikat profesionale.
9. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, M.Sc. në “Farmaci”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerime:
·Të realizohet spostimi i lëndëve me zgjedhje nga viti i parë dhe i dytë.
·Të realizohet spostimi në vite të disa lëndëve si “Fiziologjia”, “Ekonomi nderrmarrjeje” dhe “Farmakoekonomi”.
·Te rishihet kohëzgjatja e disa lëndëve si “Higjena”, “Ekonomi ndërrmarrjeje” dhe “Farmakoekonomi”, “Biologji molekulare” si dhe kreditet e disa të tjerave (Fizikë, Biologji molekulare, Legjislacion farmaceutik).
·Të percaktohen si të detyruara dhe jo me zgjedhje disa lëndë si “Etika farmaceutike” dhe “Biofarmacia” (te cilat duhen përfshirë për të qenë edhe në koherencë me praktikat kombëtare dhe më gjerë).
10. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, M.Sc. në “Arkitekturë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
·Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara.
·Të paraqitet vendimi i Senatit Akademik.
·Të përmirësohen mospërputhjet për ngarkesën mësimore në vitin e pestë.
·Të paraqiten të dhëna për koordinatorin e programit të studimit.
·Të paraqiten syllabuset e lëndëve si: “Atelje projektimi” dhe “Projektim ndërtimesh të larta”.
·Të paraqiten emri dhe kualifikimi i pedagogëve në të gjithë syllabuset.
·Të rregullohen mospërputhjet midis planit mësimor dhe syllabuseve.
·Të plotësohen syllabuset e lëndëve/moduleve me të gjithë elementët përkatës.
·Të paraqiten CV e personelit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
·Të paraqitet të dhëna për udhëheqësin e punës kërkimore dhe tezës së diplomës.
·Të paraqiten të dhëna që para përfundimit të programit të studimit të mbrohet gjuha e huaj mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Edukimit, IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës” miratohet i riorganizuar
Institucioni: Fakulteti i Arkitekturës dhe Arteve figurative, IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës” të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësues i Arsimit Fillor të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësues i Arsimit Parashkollor të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Shkenca Edukimi të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Politikat arsimore dhe menaxhim arsimi të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Farmaci të hapet
Institucioni aplikues IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”, për programin e studimit: B.Sc. në “Psikologji” dhe M.Sc. në “Arkitekturë” pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për programin e studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për miratimin e programit të mësipërm.
KËSHILLI i AKREDITIMIT