KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 244 datë 16.09.2011
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Pune” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Shkollore” (3 vite akademike), të Shkollës së Lartë Universitare Private “Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit, Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Pune” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Shkollore” (3 vite akademike), të Shkollës së Lartë Universitare Private “Kristal”, të kryer në periudhën Shkurt 2011 – Qershor 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
· Të rishikohet kurrikula e programit Bachelor në Psikologji Pune apo Psikologji Shkollore, duke e plotësuar me disa lëndë bazale në kurrikulën e psikologjisë.
· Të realizohet njehsimi i programeve Bachelor në Psikologji Pune dhe Bachelor në Psikologji Shkollore në një program të vetëm Bachelor në Psikologji.
· Të shtohet personeli akademik i Departamentit të Psikologjisë me pedagogë të brendshëm.
· Të rritet efikasiteti i punës së sekretarisë mësimore për të pasqyruar në kohë të gjitha regjistrimet, transferimet, hedhjen e notave të studentëve dhe ekuivalentimin e programeve të transferimeve të studentëve nga një universitet tjetër apo nga brenda universitetit.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, VKM Nr. 424, datë 2.6.2010, për Miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Pune” (3 vite akademike) të akreditohet.
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Psikologji Shkollore” (3 vite akademike) të akreditohet.
KËSHILLI i AKREDITIMIT