KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 24 datë 17.07.2009
Për akreditimin Institucional dhe të Programeve të Studimit, Diplomë e Nivelit të Parë në: Juridik i përgjithshëm i shoqëruar me profilet “E drejtë biznesi”, “E drejtë Publike dhe Kushtetuese”,“E drejtë Ndërkombëtare dhe Europiane”; Marrëdhënie publike-komunikim; Shkenca Politike; Marrëdhënie Ndërkombëtare; Financë-bankë; Menaxhim Biznesi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Europian i Tiranës”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin institucional dhe të Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë në Juridik i Përgjithshëm, Diplomë e Nivelit të Parë në Marrëdhënie Publike – Komunikim, Diplomë e Nivelit të Parë në Shkenca Politike, Diplomë e Nivelit të Parë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Diplomë e Nivelit të Parë në Financë – Bankë, Diplomë e Nivelit të Parë në Menaxhim Biznesi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Europian i Tiranës”, të kryer në periudhën Prill – Korrik 2009, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë si dhe raportimin e ekspertëve të jashtëm, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për akreditimin institucional dhe të programeve të studimit Diplomë e Nivelit të Parë në: Juridik i Përgjithshëm; Marrëdhënie Publike – Komunikim; Shkenca Politike; Marrëdhënie Ndërkombëtare; Financë – Bankë; Menaxhim Biznesi, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Akreditimin Institucional të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Europian i Tiranës”
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Juridik i Përgjithshëm
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Marrëdhënie Publike - Komunikim
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Shkenca Politike
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Marrëdhënie Ndërkombëtare
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Financë - Bankë
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë Menaxhim Biznesi
dhe i rekomandon Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Europian i Tiranës”, për vitin e ardhshëm akademik 2009-2010, të bëjë përmirësimet e mëposhtëme:
· Të vendosë në prioritetet e tij plotësimin e standardeve numerike (staf i brendshëm akademik) për funksionimin e njësive kryesore dhe njësive bazë, si dhe konsolidimin e tyre si dhe shpërndarjen më racionale të ngarkesës e të mos lejojë pedagogë të japin deri 5 disiplina. Plotësimi i këtyre standardeve të jetë prioritet me fillimin e programeve të studimit të ciklit të dytë (DND dhe MNP).
· Të përmirësohen raportet e përfaqësimit në senatin akademik për të siguruar një mekanizëm të balancuar votimi në vendimmarrje dhe një përfaqësim më të madh të studentëve. Të saktësohen disa nga funksionet e senatit në lidhje me projektbuxhetin, programet dhe planet disavjeçare të zhvillimit si dhe autoriteti vendimmarrës për këto procese. Të konsolidohen këshillat e fakulteteve duke rishikuar edhe një herë përgjegjësitë në lidhje me hartimin, rishikimin periodik dhe ndryshimin e programeve të studimit, duke shmangur përplasjet e përgjegjësive me zyrën e zhvillimit të kurrikulave.
· Të rishikohen kompetencat e organeve drejtuese kolegjiale duke synuar rritjen e rolit të këshillit shkencor dhe përcaktimin e saktë të kompetencave mes dekanit, këshillit shkencor, rektorit dhe senatit akademik.
· Rektorati i Universitetit të marrë masat për zbërthimin e strategjisë në plane konkrete veprimi, të cilat duhet të jenë të matshme, të monitorueshme dhe objekt i analizave të vazhdueshme.
· Rëndësi parësore t’i kushtohet konsolidimit të instituteve dhe qendrave, saktësimit të funksioneve dhe lidhjes së tyre me fakultetet dhe departamentet, përcaktimi i fushave studimore dhe të kërkimit të tyre si dhe mekanizmat financiarë për mbështetjen e tyre.
· Të krijohen mundësitë për kualifikimin e personelit të ri akademik si dhe të krijohen mekanizma të qartë dhe transparentë për mbështetjen dhe financimin e aktiviteteve shkencore, në të gjitha njësitë.
KËSHILLI i AKREDITIMIT