REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 215, datë 16.12.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “SHKENCA KOMPJUTERIKE ME PROFILE: SHKENCA KOMPJUTERIKE; SISTEME MENAXHIMI INFORMACIONI”, TË UNIVERSITETIT TË NEW YORK-UT NË TIRANË
Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr.80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” , Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportin e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit Doktoratë në “Shkenca Kompjuterike me profile: Shkenca kompjuterike; Sisteme menaxhimi informacioni”, me elementët si më poshtë:
a) Emërtimi i programit: Doktoratë në “Shkenca Kompjuterike me profile: Shkenca kompjuterike; Sisteme menaxhimi informacioni”
b) Cikli i studimit: Cikli i tretë
c) Akti zyrtar i hapjes/licencimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 567, datë 19.11.2012
d) Institucioni që e ofron*: Universiteti i New York-ut në Tiranë
e) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Drejtësisë, Artit dhe Shkencave Sociale
f) Kohëzgjatja (Vite/semestra): së paku 3 vite
g) Kredite (ECTS): 60 Kredite (viti i formimit teorik)
h) Forma e studimit: Nuk përcaktohet
i) Statusi i diplomës: ofrohet vetëm nga Universiteti i New York-ut në Tiranë
j) Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 8
VENDOSI:
1. Programi i studimit të ciklit të tretë Doktoratë në “Shkenca Kompjuterike me profile: Shkenca kompjuterike; Sisteme menaxhimi informacioni” i përmbush pjesërisht “Standardet Shtetërore të Cilësisë” për akreditimin e programeve të studimit të ciklit të tretë doktoratë, me mangësitë si më poshtë:
a) Numër i ulët i stafit akademik, të angazhuar me kohë të plotë, me kualifikimin e nevojshëm për tu përfshirë në udhëheqjet e doktoratës.
b) Nivel i ulët i publikimeve shkencore nga stafi akademik dhe studentët e këtij programi.
c) Numër i kufizuar i bashkëpunimeve ndërkombëtare që kanë impakt të drejtpërdrejtë këtë program studimi.
d) Nuk janë venë në dispozicion fonde të posaçme për mbështetjen e projekteve kërkimore dhe/ose pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare për këtë program studimit. Aktualisht nuk ka asnjë mbështetje institucionale për pjesëmarrje në projekte bashkëpunuese kërkimore, psh. të financuara nga BE-ja ose institucione të tjera ndërkombëtare.
2. Institucioni të mos pranojë e regjistrojë studentë të rinj në këtë program studimi dhe të riorganizojë këtë program sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
3. Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Doktoratë në “Shkenca Kompjuterike me profile: Shkenca kompjuterike; Sisteme menaxhimi informacioni”, me elementët e mësipërm, të akreditohet me kusht vetëm për brezat e studentëve që aktualisht janë në proces doktorate.
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË