Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 212, datë 16.12.2016 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “SHKENCA ADMINISTRATIVE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 212, datë 16.12.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “SHKENCA ADMINISTRATIVE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”


Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr.80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” , Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit Doktoratë në “Shkenca Administrative” me elementët si më poshtë:

a)      Emërtimi i programit: Doktoratë në “Shkenca Administrative”

b)      Cikli i studimit: Cikli i Tretë

c)      Akti zyrtar i hapjes/licensimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 564, datë 19.11.2012, ndryshuar me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 380 datë 06.09.2013.

d)      Institucioni që e ofron*: Universiteti Privat “Albanian University”

e)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Shoqërore

f)       Kohëzgjatja (Vite/semestra):  së paku 3 vite

g)      Kredite (ECTS): 60 ECTS (viti i formimit teorik)

h)      Forma e studimit: Nuk përcaktohet

i)       Statusi i diplomës: ofrohet vetëm nga Universiteti Privat “Albanian University”

j)       Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 8

 
VENDOSI:
 

1.      Programi i studimit të ciklit të tretë Doktoratë në “Shkenca Administrative”, i Universitetit Privat “Albanian University” nuk i përmbush kriteret ligjore dhe “Standardet Shtetërore të Cilësisë” për akreditimin e programeve të studimit të ciklit të tretë doktoratë, me argumentet e mëposhtme:

a.         Programi i studimit të ciklit të tretë doktoratë nuk paraqitet si pjesë e integruar e kërkimit shkencor të institucionit dhe nuk ka një zyrë funksionale për kërkimin shkencor.

b.        Stafi akademik me kohë të plotë i angazhuar në këtë program studimi nuk përmbush standardin e kërkuar  për mbulimin e 60% të ngarkesës akademike për një program studimi të ciklit të tretë.

c.         Stafi me kohë të plotë i Departamentit të Shkencave Politike dhe Administrative nuk ka kualifikimet e kërkuara për të mbuluar studimet e ciklit të tretë.

d.        Pedagogët e huaj mbulojnë vetëm  9 nga 15 kredite sikurse të parashikuara në Urdhërin e MAS  për hapjen e këtij programi studimi, ndërkohë që marrëveshjet e bashkëpunimit me dy universitetet italiane të Pizës dhe Palermos nuk janë më në fuqi.

e.         Fusha e specializimit të udhëheqësve shkencorë shpesh herë nuk përkon me fushën e studimit të zgjedhur nga doktorantët.

f.          Infrastruktura për realizimin e punës kërkimore shkencore nuk është e përshtatshme.

g.        Biblioteka nuk është e pasuruar me literaturë bashkëkohore dhe studentëve nuk ju mundësohet përdorimi i bibliotekës elektronike. 

h.        Burim i vetëm financiar për këtë program studimi janë tarifat e studentëve, duke vënë kështu në rrezik stabilitetin financiar dhe duke sjellë si rrjedhojë që fondi në funksion të këtij programi studimi /kërkimit të jetë i kufizuar.

i.          Mungesa e një sistemi funksional të sigurimit të brendshëm të cilësisë.

j.          Rezultatet e të nxënit (learning outcomes) të këtij programi studimi nuk janë në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.

k.        Disa prej syllabuseve nuk janë të përditësuara me literaturë bashkëkohore dhe nuk i përgjigjen nivelit të studimeve të avancuara të doktoratës.

l.          Institucioni nuk ka të dhëna të plota, të sakta dhe të dokumentuara lidhur me studentët e regjistruar në këtë program studimi. Disa prej studentëve të pranuar në këtë program studimi me master të nivelit të dytë kanë kaluar direkt në vitin e dytë të studimeve të doktoratës nga një grup ad-hoc i ngritur në Institucion, pa patur më parë një vlerësim lidhur me kurrikulën dhe përputhjen e saj me programin e doktoratës.

m.      Institucioni nuk i mundëson studentëve përfshirjen në projekte kërkimore shkencore kombëtare ose ndërkombëtare.

n.        Temat e diplomave të studentëve të pranuar në këtë program studimi jo gjithmonë përkojnë me fushën e programit të doktoratës.

2.      Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit vendos të japë për këtë program studimi vlerësim negativ.

3.      Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit Doktoratë në “Shkenca Administrative” me elementët e mësipërm, të mos akreditohet.


KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË