Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 209 datë 29.07.2011

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 209 datë 29.07.2011

Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. MENAXHIM
2. FINANCË
3. DREJTËSI
4. MËSUESI PËR ARSIMIN FILLOR
5. MËSUESI PËR ARSIMIN PARASHKOLLOR
6. INFERMIERI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Talenti”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Menaxhim”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet: Të realizohet modularizimi që përfshin semestra të ndryshëm, ndërkohë që numri i lëndëve të planifikuara ka hapësira; Të rregullohen mospërputhjet në orë/ECTS në syllabuset përkundrejt planit mësimor në lëndët “Parimet e menaxhimit” dhe “Kontabiliteti financiar”; Të saktësohet dhe të zëvendësohet lënda e “Anglishtes” si lëndë me zgjedhje.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Financë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të paraqiten kontratat apo marrëveshjet me institucione të tjera të AL apo me institucione të tjera të pretenduara.
Të shtohet pesha e disiplinave financiare meqenëse ky PS është Bachelor në financë si psh: “Drejtimi financiar ndërkombëtar”, “Teknika bankare” duke hequr ndonjë tjetër që nuk është aq pranë specialitetit si psh: “Sociologji”, “Biznes ndërkombëtar” apo “Mikroekonomi e ndërmjetme”. Kjo e fundit duket se mund të përfshihej më shumë në nivelin e dytë të studimeve (ndofta edhe Paraja dhe banka).
Të bëhet më shumë kujdes me terminologjinë e përdorur për elementët e punës praktike pasi në përmbajtjen e programeve të lëndëve gjenden një larmi emërtimesh si: prezantim verbal në grup, projekte e detyra, raste studimi, punë në grup, esse, të cilat nuk përmenden më sipër.
Për lëndët kryesore të specialitetit si psh: ato të kontabilitetit dhe të financës duhet të zënë vend më shumë detyrat e kursit ku ato janë shumë më të nevojshme se sa në lëndët: Parimet e marketingut, E drejtë biznesi, Sociologji, etj.
Të korrigjohen një pjesë e mirë e programeve të lëndëve/moduleve pasi në shumicën e tyre përmenden shprehjet: “...zhvillohet me studentët e degës financë”, apo “studentët e vitit të dytë të fakultetit të ekonomisë”.
Të paraqiten emrat e pedagogëve në shumicën e lëndëve si psh: Gjuha italiane, Gjuha gjermane, Mikroekonomi e ndërmjetme, Bazat e kontabilitetit, Statistikë, Parimet e marketingut, E drejtë biznesi, Manaxhim biznesi, Matematikë financiare, Kontabilitet financiar, Financat publike, Drejtimi financiar, Manaxhimi i burimeve njerëzore, Etikë biznesi, Kontabiliteti i Kostos së drejtimit, Paraja dhe bankat, Investime, Biznes Ndërkombëtar, Komunikimi në biznes.
Të shihet mundësi që stafi akademik për Vitin e II dhe të III të jetë me kualifikimin e duhur dhe në përputhje me programin e studimit.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Drejtësi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të shihet mundësi që stafi akademik të jetë me kualifikimin e duhur dhe në përputhje me programin e studimit.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Mësuesi për Arsimin Fillor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet: Të paraqiten emrat e pedagogëve në shumicën e lëndëve; Të rregullohet përllogaritja e ngarkesës mësimore në auditor për leksione/seminare për çdo lëndë dhe për çdo vit; Të paraqitet literatura e ndarë në bazë dhe ndihmëse për syllabusin e lëndës “Gjuhë e huaj”.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Mësuesi për arsimin Parashkollor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet: Të paraqiten emrat e pedagogëve në shumicën e lëndëve; Të rregullohet përllogaritja e ngarkesës mësimore në auditor për leksione/seminare për çdo lëndë dhe për çdo vit; Të paraqitet literatura e ndarë në bazë dhe ndihmëse për syllabusin e lëndës “Gjuhë e huaj”; Të rregullohet mospërputhja e emërtimit të lëndës “Letërsi për fëmijët e moshës parashkollore” të deklaruar në planin mësimor me atë të deklaruar në syllabus.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Infermieri”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të paraqiten marrëveshje bashkëpunimi me spitalet për Praktikën profesional dhe të paraqiten dokumente që dëshmojne formën dhe mënyrat e bashkëpunimit.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Menaxhim të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësuesi për Arsimin Fillor të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësuesi për Arsimin Parashkollor të hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Universiteti Talenti”, për programet e studimit: Bachelor në “Financë”, Bachelor në “Drejtësi” dhe Bachelor në “Infermieri”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

KËSHILLI i AKREDITIMIT