Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 204 datë 29.07.2011 - SHLUP “Universiteti Dyrrahu”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 205 datë 29.07.2011


Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (Bsc) në:
1. INXHINIERI SOFTUERIKE
2. INXHINIERI INDUSTRIALE
3. ADMINISTRIM BIZNESI
4. ADMINISTRIM BIZNESI DHE TEKNOLOGJI INFORMACIONI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Jopublike “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Inxhinieri Softuerike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:

  • Të qartësohet kohëzgjatja e programit të studimit.
  • Të qartësohet plani mësimor pasi ka mospërputhje në elementët e tij (kohëzgjatje, numër kreditesh etj.).
  • Të plotësohen të dhënat për format e mësimdhënies.
  • Të rritet numri i personelit akademik të brendshëm.
  • Titullari i lëndës të zotërojë kualifikimin e kërkuar (jo me MSc).
  • Të paraqitet qartë raporti orë mësimi në auditor/punë e pavarur e studentit.
  • Të përshtatet struktura e programit të studimit për studim të pavarur, reflektim e analizë nga ana e studentit.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: viti/semestri kur zhvillohet lënda dhe emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën.

2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Inxhinieri Industriale”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të përcaktohet ngarkesa totale në auditor për të 4 vitet e studimit.

  • Të paraqitet ndarja e lëndëve sipas veprimtarive formuese.
  • Të përcaktohet ngarkesa në ECTS.
  • Të paraqitet ngarkesa mësimore e ndarë sipas formave të mësimdhënies për çdo lëndë/modul.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: Emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën; Lieratura ndihmëse; Ngarkesa në orë në auditor dhe jashtë auditorit si dhe në ECTS; Detyrimet e studentit për lëndë.

4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Administrim Biznesi dhe Teknologji Informacioni”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:

  • Të përcaktohet ngarkesa totale në auditor për të 4 vitet e studimit.
  • Të paraqitet ndarja e lëndëve sipas veprimtarive formuese.
  • Të përcaktohet ngarkesa në ECTS.
  • Të paraqitet ngarkesa mësimore e ndarë sipas formave të mësimdhënies për çdo lëndë/modul.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: Emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën; Lieratura ndihmëse; Ngarkesa në orë në auditor dhe jashtë auditorit si dhe në ECTS; Detyrimet e studentit për lëndë.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Inxhinieri Industriale të hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Jopublike “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, për programet e studimit: Bsc në “Inxhinieri Softuerike”; Bsc në “Administrim Biznesi” dhe Bsc në “Administrim Biznesi dhe Teknologji Informacioni”, pasi të kenë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


KËSHILLI i AKREDITIMIT