Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 203 datë 29.07.2011 - SHLUP “Universiteti Biznes dhe Ligj”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 204 datë 29.07.2011


Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (Bsc) në:
1. PSIKOLOGJI
2. DREJTËSI
3. FINANCË
4. ADMINISTRIM BIZNESI
5. INFERMIERI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Universiteti Dyrrahu”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Psikologji”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
Fusha akademike e përgjithshme e personelit akademik kryesisht nuk përputhet me lëndën dhe ndërkohë pedagogët nuk kanë formim për fusha të veçanta dhe nuk kanë përvojë kërkimore.
Syllabuset e lëndëve nuk paraqiten të plota, me kualifikimin e personelit akademik, emrin e titullarit të lëndës dhe temat e programit (p.sh në lëndën Studime gjinore).
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Drejtësi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
Plani mësimor i propozuar nuk lejon dhe nuk siguron një njohje të instituteve të së drejtës në mënyrë organike dhe logjike. Lëndë të cilat janë propozuar në vitin e parë (E Drejta Civile; E Drejta Penale) si dhe lëndët e vitit të dytë (Kriminalogjia- Penalogjia; Mjekësia ligjore) nga pikëpamja metodologjike sjellin një mospërputhje të objektivave; misionit të këtij programi dhe nuk lejojnë që të sigurohet efekshmërinë dhe rezulatin e tij mbi studentët, ku dijet e tyre shpesh herë miksohen për shkak të mos një renditje sistemetike të lëndëve mësimore.
Ka syllabuse, ku përmbajtja e tyre nuk është konform me titullin e lëndës së propozuar, të tilla, si: E drejta civile (Pjesa e përgjithëshme), E drejta e pronësisë intelektuale, E drejta e sigurimeve shoqërore.
Syllabuset e lëndëve nuk shoqërohen nga një metodologji adekuate e mësimdhënies. Zëri i quajtur “metodologji” në pjesën hyrse të çdo syllabusi (Leksione+Seminare), nuk mund të konsiderohet i tillë, sepse nuk përmban elemente të metodologjisë, pra mënyrat mbi të cilat ajo bazohet.
Zëri i quajtur “Politikat e Universitetit” konfondohet me frekuentimin e studentit, me politikat ndëshkuese që ai mund të marrë kundrej atyre studentëve të cilët shkelin aktet e Universitetit.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Financë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
Nuk përputhet emërtimi i diplomës në modelin e diplomës, në currikulë, etj. me emërtimin e paraqitur në suplement dhe relacionin mbi organizimin.
Në këtë program studimit nuk parashikohen disiplina të tjera si psh, “Paraja dhe banka”, “Drejtimi bankar”, “Kontabiliteti bankar” nëse pretendohet përgatitja edhe e specialistëve të bankës dhe nuk janë përfshirë disiplina si Drejtimi i Sigurimeve, Drejtimi financiar ndërkombëtar etj nëse pretendohet përgatitja e specialistëve për financë.
Personeli akademik i paraqitur është i pamjaftueshëm për të përballuar të gjitha lëndët e pretenduara, nuk janë të përshtatshëm për të përballuar kërkesat e displinave të këtij programi në përgjithësi dhe të profilit të financës në veçanti, nuk kanë përvojë të gjatë pedagogjike dhe nuk përputhen me profilin e tyre të diplomimit.
Në lëndët e specialitetit (Financë apo Kontabilitet) nuk janë parashikuar mjaftueshëm detyra kursi apo punime vjetore.
Në shumicën e programeve ka paqartësi në sistemin e vlerësimit gjithëvjetor.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të përfshihen në këtë program studimi personel akademik me përvojë në mësimdhënie dhe të përputhet fushat e tyre e eskpertizës me lëndët përkatëse.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Infermieri, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:

  • Të parashikohen bashkëpunime me spitalet për praktikat profesionale.
  • Të rishikohet ndarja e lëndëve sipas Disiplinave formuese.
  • Të plotësohen me tema më të plota disa syllabuse.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Psikologji
të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Drejtësi
të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Financë
të mos hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Universiteti Dyrrahu”, për programet e studimit: Bsc në “Administrim Biznesi” dhe Bsc në “Infermieri”, pasi të kenë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


KËSHILLI i AKREDITIMIT