Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 194 datë 24.06.2011 - SHLUP “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 194 datë 24.06.2011


Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. MENAXHIM
2. E DREJTË PUBLIKE
3. E DREJTË CIVILE
4. E DREJTË PENALE
5. FINANCË
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. ADMINISTRIM PUBLIK
2. ADMINISTRIM BIZNESI
3. FINANCË BANKË
4. MARKETING
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e reja të studimit, Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuar nga Institucioni i Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “Menaxhim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar që programi ofron kompetenca të avancuara.
· Programet e lëndëve në përgjithësi nuk janë në përputhje me objektivat formuese të programit të studimit, disa prej tyre duken në nivel minor përsa i përket synimeve formuese, nën nivelin e masterit shkencor.
· Nuk ka të dhëna për titujt e studimit që lejojnë/që pranohen të regjistrohen në këtë program studimi.
· Kualifikimi i personelit akademik të paraqitur, vetëm 2 me titullin Prof.as, të tjetër në nivelin Dr, nuk paraqet qartë forcën e tyre akademike për nivelin e mësimdhënies.
· Personel akademik me gradën Dr paraqiten jashtë fushës së tyre të specializimit.
· Nuk paraqiten të dhëna se si do të sigurohet literatura e rekomanduar e autorëve të huaj.
· Nuk është e qartë forma dhe metoda me të cilën studenti do të raportojë praktikën mësimore.
· Nuk jepen të dhëna për punimin përfundimtar (punim i cili pjesërisht do të kontribuojë në temën e doktoraturës), në çfarë do të konsistojë, çfarë niveli përmbajtjeje duhet të ketë.
2. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “E Drejtë Publike”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “E Drejtë Civile”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të qartësohet mënyra e organizimit të studiemve me kohë të pjesshme dhe të përcaktohet kohëzgjatja e tyre.
· Të rishihet mundësia e heqjes nga kurrikula apo e zëvendësimit me një lëndë të proflit civil të lëndës “E Drejta sociale” e cila është një lëndë që i përket profilit publik dhe nuk përshtatet me këtë program studimi.
· Të rishihet strukturimi i orëvë mësimore pasi ngarkesa mësimore në orë për vitin e dytë në auditor ka mospërputhje me kriterin e Udhëzimit të MASh.
· Të specifikohet se cilat diploma Bachelor mund të pranohen në këtë program studimi me debite dhe pa debite shtesë.
· Të specifikohet nga Institucioni që pranimi i studentëve me diplomë Master Profesional është një kriter fakultativ dhe jo një kriter i domosdoshëm për tu pranuar në këtë program.
· Të korrigjohen pasaktësitë që përmbajnë syllabuset për orët e leksioneve dhe ECTS të paraqitura në syllabus përkundrejt atyre të paraqitur në planin mësimor.
· Të hiqet nga syllabusi i lëndës “E drejtë civile-studime të thelluara” teksti: “Parime dhe institucione të së drejtës publike” pasi nuk është tekst i detyrueshëm për këtë lëndë.
· Të detajohen më mirë temat në syllabusin “E Drejta familjare” pasi në të specifikohen në total 6 tema me shumë pak nëntema për një ngarkesë totale prej 60 orë leksionesh.
· Të reduktohet literatura në lëndën “Metodologji e kërkimit” pasi edhe pse është në gjuhë të huaj ajo përmban 10 tekste.
· Të rishikohet lista personelit akademik pasi janë parashikuar pedagogë me titull Master i Shkencave ndërkohë që pedagogët duhe të jenë të gjithë minimalisht me gradën Doktor.
4. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “E Drejtë Penale”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
5. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “Financë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Administrim Publik”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Për syllabusin e lëndës “E Drejtë Publike”, të rregullohen të dhënat për ngarkesën mësimore në orë dhe ECTS, me atë të paraqitur në Planin mësimor.
· Për syllabuset “E Drejtë Publike”; “Kontabiliteti Publik”; “Prokurimi Publik” dhe “Lidershipi” të rregullohet mospërputhja midis të dhënave në syllabus dhe atyre në planin mësimor, për vendin që zë lënda në formimin tërësor të studentit.
7. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të rregullohen mospërputhjet e ECTS totale me shumatoren e lëndëve të veçanta.
· Të rregullohen mospërputhjet e disa syllabuseve me planin e përgjithshëm mësimor lidhur me ndarjen e lëndëve të detyrueshme/me zgjedhje.
· Të paraqitet syllabusi i lëndës “Menaxhim strategjik i avancuar”.
· Të parashikohen kushte specifike të pranimit të studentëve në këtë program studimi.
8. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, MP në “Financë Bankë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
9. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Marketing”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të qartësohet mënyra e organizimit të studimeve me kohë të pjesshme dhe të përcaktohet kohëzgjatja e tyre.
· Të saktësohet numri i lëndëve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje në planin mësimor i krediteve përkatëse dhe në përputhje me këtë edhe i ngarkesës totale në auditor.
· Të përcaktohen qartë përveç diplomave që duhet të zotërojnë edhe kritere të tjera akademike (nota mestare, njohuri të gjuhëve të huaja etj.) për përzgjedhjen e studentëve.
· Të rishikohen syllabuset për të uniformizuar strukturimin e tyre sipas elementëve përbërës, për të evituar mospërputhjen e elementëve të tyre me planin mësimor (numër kreditesh, emërtim lëndë, emra pedagogësh etj).
· Të saktësohen format e vlerësimit të studentit në disa syllabuse.
· Të rishikohet programi i lëndës “Marketingu Ndërkombëtar”.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Menaxhim të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në E Drejtë Publike të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në E Drejtë Penale të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Financë të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Financë Bankë të hapet
Institucioni aplikues “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, për programet e studimit: MP në “Administrim Publik”; MP në “Administrim Biznesi”; MP në “Marketing” dhe M.Sc. në “E Drejtë Civile”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________
Z. Shyqyri Llaci nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.