KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 191 datë 24.06.2011
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. EKONOMIA DHE E DREJTA NË TREGJET NDËRKOMBËTARE
2. MARKETING
3. DREJTIM BANKAR
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. EKONOMIA DHE E DREJTA NË SEKTORIN PUBLIK
2. GAZETARI SPORTIVE
3. GAZETAR REPORTER
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Ekonomia dhe e Drejta në tregjet ndërkombëtare”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të rishihet plani mësimor pasi paraqet disa mangësi në: ndarjen në semestra; përllogaritjen e provimeve përfundimtare; ngarkesën totale në auditor për vitin II; nuk përcaktohen orët në auditor për praktikën profesionale; për tezën e diplomës janë deklaruar vetëm orë jashtë auditorit.
· Të rishihet literatura në të gjithë syllabuset e lëndëve.
· Të hiqet literatura e detyrueshme në një gjuhë të huaj jashtë anglishtes pasi studentëve në këtë program studimi i kërkohet njohuria vetëm e gjuhës angleze.
· Të hiqen nga literatura ndihmëse në lëndën “E drejtë administrative e avancuar”, tekstet: Hyrje në të drejtën civile, Kodi i se drejtës civile, Diritto privato pasi nuk janë të përshtatshme me modulin përkatës.
· Të rishihet emërtimi i modulit “E drejta e pronësisë intelektuale” pasi përmbajtja e tij nuk është në përputhje me emërtimin që i referohet kryesisht të drejtave të autorit. Emërtimi më specifik bazuar në përmbajtje do të ishte “Pronësi intelektuale”, “pronësi intelektuale dhe e drejta e konkurencës”.
· Të përshtatet literatura e lëndës “Integrimi europian dhe globalizimi” me përmbajtjen e temave.
· Të rishihet lista e pedagogëve pasi ka pedagogë me Master të Shkencave, ndërkohë që duhet të jenë me gradën shkencor Doktor.
· Të rishihen programet mësimore pasi ndër elementët mungojnë: viti/semestri ku zhvillohet lënda; vendi që zë lënda në formimin tërësor të studentit.
· Temat që janë planifikuar të zhvillohen në disa syllabuse janë paraqitur shumë shkurtimisht.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Marketing”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Drejtim Bankar”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të saktësohet emërtimi i Masterit pasi në materialet e paraqitura ky program studimi ka disa emërtime.
· Të riformulohen misioni dhe objektivat, pasi nga leximi i tyre ato duken të marra të gatshme nga masteri profesional.
· Të parashikohen kritere pranimi për të gjithë kategoritë e ekonomistëve.
· Të rishikohet numri i provimeve në përputhje me Udhëzimin e MASh.
· Të rishikohet numri i detyrave të kursit pasi me ngarkesën e vendosur nuk mund të përballohet nga studenti ose nuk përfaqësojnë një element formal.
· Të plotësohen disa syllabuset si “Drejtim bankar”; “Menaxhim i riskut” dhe Kontabiliteti bankar” me literaturë bazë në gjuhën shqipe.
· Të rishihet personeli akademik pasi nga materiali i paraqitur duket se shumica e tyre nuk aktivizohen në këtë program studimi.
· Të rishihet lista e pedagogëve pasi ka pedagogë me Master, ndërkohë që duhet të jenë me gradën shkencor Doktor.
· Të përputhet fusha e veçantë e kërkimit dhe përvoja kërkimore e personelit akademik me lëndët përkatëse që ata mbulojnë.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Ekonomia dhe e Drejta në sektorin publik”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Ti hiqen kreditet e shumta që janë përcaktuar për provën finale dhe këto kredite të organizohen në aktivitete formuese në auditor.
· Të rishihet literatura në të gjitha syllabuset e lëndëve dhe të eleminohet literatura e detyrueshme në një gjuhë të huaj jashtë anglishtes pasi studentëve në këtë program studimi i kërkohet njohuria vetëm e gjuhës angleze.
· Të hiqen nga literatura ndihmëse në lëndën E Drejtë administrative e avancuar tekstet: Hyrje në të drejtën civile; Kodi i se drejtë civile; Diritto privato pasi nuk janë të përshtatshme me modulin përkatës.
· Të rishihet emërtimi i modulit E Drejta e pronësisë intelektuale pasi përmbajtja e tij nuk është në përputhje me emërtimin që i referohet kryesisht të drejtave të autorit. Emërtimi më specifik i bazuar në përmbajtje do të ishte Pronësi industriale, pronësi intelektuale dhe e drejta e konkurencës.
· Të rishihet lista e pedagogëve pasi ka pedagogë me Master të Shkencave, ndërkohë që duhet të jenë me gradën shkencor Doktor.
· Të rishihen programet mësimore pasi ndër elementët mungojnë: viti/semestri ku zhvillohet lënda; vendi që zë lënda në formimin tërësor të studentit.
· Temat që janë planifikuar të zhvillohen në disa syllabuse janë paraqitur shumë shkurtimisht.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Gazetari Sportive”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
· Orët në auditor për praktikën profesionale (28 orë/12 ECTS) janë paraqitur gabim dhe jo sipas Udhëzimit të MASH.
· Nuk është përcaktuar forma e studimit (me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme)
· Nuk janë paraqitur kritere specifike për pranimin e studentëve
· Në syllabuset si “Zhanret e tjera të gazetarisë”; “Dizenjimi i medias të shkruar”; “Lajmi sportiv” dhe “Lajmi artistik dhe kulturor”, temat e lëndëve janë paraqitur përciptazi.
· Literatura nuk është paraqitur e ndarë në bazë dhe ndihmëse në të gjitha syllabuset
· Metodat e mësimdhënies nuk janë përcaktuar dhe pothuajse të gjitha syllabuset kanë një paragraf të njëjtë si: “Veprimtaria mësimore do të organizohet në formë leksionesh dhe seminaresh, në të cilët studentët, mbasi kanë studiuar gjatë javës së mëparshme një material të caktuar, referojnë rreth këtij materiali, ngrenë pyetje dhe bëjnë diskutime”.
· Format e mësimdhënies në syllabuse janë të njejta për të gjitha, si për lëndët me karakter teorik ashtu dhe ato me karakter praktik.
· Syllabuset e lëndëve janë me mangësi dhe duhet të rishikohen.
· Studentët të cilët kanë mbaruar nivelin BA në Gazetari do të kenë në pjesën më të madhe të këtij programi studimi vetëm PËRSËRITJE lëndësh dhe modulesh.
· Plani mësimor ka tendencën e një plani në përgatitje më të lartë teorike sesa profilizuese.
· Ngarkesa mësimore në auditor dhe jashtë tij duhet të ristrukturohet, pasi paraqitet një ngarkesë e lartë mësimore në auditor.
· Shpërndarja e ETCS-ve të rishikohet.
· Programi i studimit është Master Profesional dhe sipas praktikave ndërkombëtare të ketë më shumë lëndë me karakter praktik.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Gazetar Reporter”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Mundësitë për punësim dhe Objektivat formuese dhe karakteristika të programit me elementët e saj, janë të paqarta.
· Orët në auditor për praktikën profesionale (28 orë/12 ECTS) janë paraqitur gabim dhe jo sipas Udhëzimit të MASH.
· Nuk është përcaktuar forma e studimit (me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme)
· Nuk janë paraqitur kritere specifike për pranimin e studentëve
· Ka nëvojë për ristrukturim të lëndëve sipas semestrave.
· Format e mësimdhënies në syllabuse janë të njejta për të gjitha, si për lëndët me karakter teorik ashtu dhe ato me karakter praktik
· Në syllabuset si “Zhanret e e gazetarisë sportive”; “Parimet e komunikimit masiv dhe media dhe teknologjia”; “Metodat e kërkimit në media”; “Përgatitja e lajmit në sport”; Lajmi sportiv” dhe “Media e specializura sportive”, temat e lëndëve janë paraqitur përciptazi.
· Literatura nuk është paraqitur e ndarë në bazë dhe ndihmëse në të gjitha syllabuset.
· Në pjesën më të madhe të programeve nuk janë praqitur metodat e mësimdhënies.
· Programi i lëndës “Marrëdhënie me publikun në sport” në MP Gazetar Sportiv është i njejtë me atë “Marrëdhënie me publikun” në MP Gazetar Reporter.
· Ka mospërputhje të personelit hartues të lëndës “Raportimi i lajmit sportiv”.
· Nuk ka përputhje të fushës së pedagogëve me lëndën “Raportimin e lajmit”, “Shkrim dhe raportim lajmi”, “Fotogazetarinë sportive dhe raportimin e drejtpërdrejtë”, etj.
· Programet e lëndëve: “Përgatitja e lajmit për sport”, “Intervistat, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave”, “Analiza opinioni dhe komenti” kanë literaturë identike me modulin “Zhanret e tjera të gazetarisë etj. por titullohen lëndë të ndryshme.
· Raporti orë mësimi në auditor/punë e pavarur e studentit të rishikohet sipas semestrave, pasi semestri i fundit duhet të jetë krejtësisht profesional.
· Struktura e paraqitur për këtë program studimi nuk është e përqendruar në nivelin e profilizimit të gazetarit sportiv duke i dhënë më shumë akses përgatitjes teorike sesa profilizimit te tij në fushën e gazetarisë sportive.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Marketing të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Gazetari Sportive të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Gazetar Reporter të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programet e studimit: M.Sc. në “Ekonomia dhe e Drejta në tregjet ndërkombëtare”; M.Sc. në “Drejtim Bankar” dhe MP në “Ekonomia dhe e Drejta në sektorin publik”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për programet e studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për miratimin e programeve të mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________
Z. Shyqyri Llaci nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.