Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 167 datë 15.04.2011 - SHLUP "Vitrina"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 167 datë 15.04.2011

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (Bsc) në:
1. TEKNOLOGJI INFORMACIONI DHE KOMUNIKIMI (TIK)
2. INXHINIERI TELEKOMUNIKACIONI
3. GAZETARI – KOMUNIKIM
4. PSIKOLOGJI
5. SOCIOLOGJI
6. MËSUES I CIKLIT TË ULËT
7. MËSUES I ARSIMIT PARASHKOLLOR
8. GJUHË ANGLEZE
9. INFERMIERI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (Msc) në:
1. ARKITEKTURË
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor në “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK)”; Bachelor në “Inxhinieri Telekomunikacioni”; Bachelor në “Gazetari - Komunikim”; Bachelor në “Psikologji”; Bachelor në “Sociologji”; Bachelor në “Mësues i ciklit të ulët”; Bachelor në “Mësues i Arsimit Parashkollor”; Bachelor në “Gjuhë Angleze”; Bachelor në “Infermieri”; Master i Shkencave në “Arkitekturë” të kërkuar nga Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bsc në “Teknologji Informacioni dhe komunikimi (TIK)”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
·Të përputhet pjesa prezantuese e materialit, të paraqitur nga rektori i Universitetit, ku bëhet fjalë për përgatitje të një Inxhinieri TIK (shih pikën 2), me njohuritë e marra në një program studimi BACHELOR, program ku i ciklit të parë të studimit.
·Të parashikohen në Planin Mësimor dhe në programet e lëndëve Detyra e Projekte Kursi, të cilat mundësojnë e konkretizojnë studim një punë të pavarur, reflektim e analizë nga ana e studentit.
·Të rregullohet mënyra e kontrollit të dijeve të një lëndë me 13 kredite vetëm me një provim përfundimtar.
·Të përputhen të dhënat e “Tabelës së krediteve për veprimtarinë e programit mësimor Bachelor në TIKN” dhe planit mësimor për lëndën “KIMI”.
·Të shikohet angazhimi i personelit akademik të paraqitur në “Listën e pedagogëve të Universitetit VITRINA, Fakulteti i Inxhinierisë” dhe të jepet qartë statusi i tyre.
·Ka njw numër lëndësh, programet e të cilave mund të konsiderohen si programe të shkurtuara, por kurrsesi programe mësimore lëndësh.
·Të paraqiten emrat e pedagogëve përgjegjës në të gjitha programet e lëndëve me zgjedhje.
·Të rregullohet literatura në disa lëndë, pasi literatura e vendosur duket e vjetëruar.
·Të paraqiten të dhëna për bashkëpunime me institucione të tjera, brenda ose jashtë vendit, duke qenë se në materialin e paraqitur bëhet fjalë për personel akademik (vendas dhe të huaj).
·Të qartësohet tregu potencial i punës për të diplomuarit në këtë Program Studimi, sipas materialit të paraqitur.
·Të qartësohet, referenca ligjore për hapjen e Programit të Studimit, pasi përmendet Udhëzimi i MASH “Për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e programeve të studimit Master të Nivelit të Parë dhe të Dytë”, çka nuk ka lidhje me Programin e Studimit Bachelor të propozuar.
·Të qartësohet, nëse diploma do të mbrohet me provim formimi\punim diplome me udhehëqje për diplomat Bachelor.
·Të paraqiten të dhëna për temën e diplomës, si përgatitet, çfarë duhet të përmbajë, si mbrohet, kush merr pjesë në Komisionin e Mbrojtjes, etj.
·Të paraqitet modeli i diplomës dhe modeli i suplementit të diplomës.
·Të paraqiten të dhëna për praktiken mësimore, ku do të zhvillohet, si do të zhvillohet, në funksion të cilave lëndë do të zhvillohet, cili është programi i praktikës mësimore, etj.
2. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Inxhieri telekomunikacioni”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtëm:
·Një pjesë e mirë e pedagogëve që mbulojnë lëndët të cilat janë përcaktuara për diplomën Inxhinieri Telekomunikacioni duhet të jenë të brendshëm për institucionin.
·Të korrigjohet lista e pedagogëve me kohë të plotë të Fakultetit të Inxhinierisë për të eleminuar ata me kohë të plotë në IAL të tjera.
·Të detajohet infrastruktura laboratorike në dispozicion të programit të studimit.
·Të detajohet programi dhe mënyra e zhvillimit të praktikës.
·Të përcaktohen pedagogët që do të mbulojnë lëndët me zgjedhje.
·Rekomandohet përfshirja e detyrave të kursit në një numër lëndësh të programit të studimit.
·Të rishikohet forma standarde e vlerësimit për të gjithë modulet.
·Të përdoret i njëjti standard (përsa i përket detajimit të programeve) për të gjithë modulet.
3. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Gazetari - Komunikim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
·Programi është bazuar në një kurrikul miks, pa bosht të qartë dhe kohorent të medias e të komunikimit. Duket më tepër si një përpjekje për bashkim lëndësh nga fushat humane.
·Objektivi të riformulohet, duke theksuar po ashtu qartë se çfarë synohet me përgatitjen e studentëve.
·Të merret në konsideratë tregu i sotëm mediatik.
·Të merren në konsideratë mediat e reja si prirje aktuale dhe të shihet mundësia e profileve të qarta të studentëve, që pritet të hyjnë në një treg tashmë të konsoliduar nga ana e stafeve profesionale.
·Literatura është jo e plotë, jo e përditësuar dhe jo e bazuar në botime të reja.
·Nuk ka një ndarje logjike të ngarkesës.
·Modulet bashkojnë lëndë, të cilat mund të qëndrojnë më vete, ose në modulet të tjera.
4. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Psikologji”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet që:
·Të plotësohen CV-të e pedagogëve që mbulojnë ngarkesën e programit të studimit
·Të plotësohen kontratat e bashkëpunimit të pedagogëve.
5. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Sociologji”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
·Plani Mësimor ka nevojë të rivlerësohet, pasi është i ngarkuar më lëndë të panevojshme nga Psikologjia.
·Misioni, objektivat kanë gjithashtu nevojë të riformulohen.
·Duhet hulumtuar më tej në mundësinë e punësimit të studentëve në mënyrë që plani mësimor t’i përgjigjet kërkesave të tregut për formimin e studentëve.
6. Përmbajtjet e Programeve të reja të Studimit, Bsc në “Mësues i Arsimit Parashkollor” dhe Bsc në “Mësues i Ciklit të Ulët”, nuk përmbushin standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jepet vlerësimi Negativ, me argumentet:
·Tregu i punës sipas Rregullores së Programit të Studimit nuk është dhënë i qartë, por thuhet sipas studimit të kryera nga kompania dhe nuk paraqitet asnjë informacion mbi këtë studim për të argumentuar nevojat që ka vendi për specialistë të kualifikuar në këtë drejtim.
·Nuk paraqitet në rregullore perspektiva e studentëve që mbarojnë këtë program studimi, vazhdimi i studimeve në një master profesional apo shkencor.
·Nuk bëhet shpërndarja e krediteve në përputhje me udhëzimin e MASH.
·Një pjesë e syllabuseve, si p.sh temat e kursit nuk janë të paraqitura me të njëjtin standart, literatura bazë e përsëritur etj.
·Institucioni nuk ka paraqitur një program të detajuar të aktiviteteve që do të zhvillohen në funksion të praktikës mësimore, mënyrën e ogranizimit, institucionet ku do të zhvillohet kjo praktikë, udhëheqësit, mësuesit mentorë, mënyrën e vlerësimit të studentëve, etj. Gjithashtu nuk janë paraqitur kontratat e lidhura me institucionet ku do të zhvillohet kjo praktikë.
·Nuk jepet informacion për pedagogët përgjegjës për programin: fusha e studimit të tyre, i brendshëm apo jo.
·Nuk është bërë siduhet emërtimi i kurseve sipas tipit të veprimtarisë.
·Në rregulloren e programit të studimit nuk paraqitet mënyra se si do të organizohet punimi, dorëzimi, mbrojtja dhe vlerësimi i diplomës.
7. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Gjuhë Angleze”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
·Materiali duhet rishkruar nga fillimi, është në një shqipe të pakuptueshme, me gabime të theksuara logjike, sintaksore dhe ortografike.
·Nuk ofron bashkëpunim me institucione të tjera me përvojë të gjatë brenda dhe jashtë vendit.
·Nuk është paraqitur lista e veçantë e pedagogë të brendshëm që do të mbulojnë lëndët përkatëse si dhe përqindja e raportit të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm.
·Ky program studimi synon që të përgatisë përkthyes ndërkohë është programi studimi tre vjeçar, Bachelor.
·programet e lëndëve janë të cunguar dhe nuk janë në përputhje me Udhëzimet e Këshillit të Akreditimit.
·Nuk është respektuar përshkallëzimi i lëndëve sipas përparimit nga e lehta tek e vështira.
8. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Infermieri”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
·Materiali i paraqitur nuk ka të përcaktuar qartë misionin, objektivat dhe tregun e pritshëm të punës për studentët që do të diplomohen.
·Programi mësimor nuk është i ndarë sipas veprimtarisë që zë lënda në formimin e përgjithshëm të studentëve.
·Strukturimi i lëndëve dhe moduleve nuk është i organizuar qartë dhe me profesionalizëm. Emrat e disa lëndëve në këtë program janë përkthyer në mënyrë jo koherente me gjuhën që përdoret rëndom në Fakultetet e Infermierisë që aktualisht operojnë në vëndin tonë.
·Programi i paraqitur ka përsëritje te lëndëve.
·Gjithashtu kemi 7 lëndë me emërtime te ndryshme që trajtojnë psikologji të niveleve te ndryshme, si psikologji e pergjithshme, klinike, zhvillimi, sociale e punës dhe pedagogji e përgjithshme dhe didaktikë dhe pedagogji speciale (duke u nisur nga temat e përshkruara në syllabuse trajtojnë probleme psiokologjike.
·Programi i studimit nuk është i ndarë sipas formave të mësimdhënies, nuk janë të specifikuara orët në auditor dhe jashtë tij. Programi i paraqitur kufizon mundësinë e lëvizshmërisë akademike.
·Literatura jepet për të gjithë modulin jo e ndarë sipas lëndëve dhe nuk është e përcaktuar qartë literaturë e detyruar dhe ajo ndihmëse. Në shumë module literatura është në gjuhë të huaj por nuk mund të gjykohet nësë ajo është e detyruar.
·Ka shumë programe që nuk kanë të përcaktuar emrin e pedagogut.
·Në shumë lëndë përsëriten të njëjtat tema.
·Në disa lëndë temat janë vendosur jo të bazuara në të dhëna epidemiologjike dhe Shkencore të realitetit Shqiptar, trajtohen më shumë tema që kanë të bëjnë me anomali të lindura të fëmijëve dhe nuk trajtohen problemet madhore që shoqërojnë fëmijët në rritje.
·Programi i paraqitur nuk u krijon studentëve një formim të integruar dhe bashkëkohor.
9. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Msc në “Arkitekturë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
·Të parashikohen kritere (konkurs) për pranimin e studentëve në këtë program studimi.
·Të parashikohen orë mësimore për formën e mësimdhënies Seminar.
·Të realizohet modularizimi i lëndëve pasi edhe pse deklarohen 33 lëndë/module në të vërtetë janë 40 lëndë të veçanta pasi nuk deklarohet si realizohet integrimi i tyre në një lëndë të vetme.
·Të rregullohen pasaktësitë për ndarjeve e orëve për disa lëndë.
·Të paraqiten syllabuset me të gjithë elementët e tyre përkatëse dhe të parashikohet edhe literaturë në gjuhën shqipe jo vetëm në gjuhën të huaj.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Inxhieri telekomunikacioni të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Gazetari - Komunikim të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Psikologji të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Sociologji të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësues i Ciklit të Ulët të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësues i Arsimit Parashkollor të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Gjuhë Angleze të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Infermieri të mos hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, për programet e studimit: Bachelor në “Teknologji Informacioni dhe komunikimi (TIK)” dhe Master i Shkencave në “Arkitekturë” pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________