REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 151, datë 31.03.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “INFERMIERI”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT ALBANIAN UNIVERSITY
Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit, me elementët si më poshtë:
a) Emërtimi i programit: Bachelor në “Infermieri”
b) Cikli i studimit: Cikli i parë
c) Vendimi i hapjes/licencimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 411, datë 25.08.2011
d) Institucioni që e ofron: Universiteti Privat Albanian University
e) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Mjekësore
f) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 3 Vite/ 6 Semestra
g) Kredite (ECTS): 180 Kredite
h) Forma e studimi: Me kohë të plotë
i) Statusi i diplomës: Ofrohet nga vetë Institucioni
j) Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 6
VENDOSI
1. Programi i studimit Bachelor në “Infermieri” i përmbush pjesërisht “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të ciklit të parë si dhe kërkesat ligjore akademike.
2. Institucioni duhet të marrë masa të menjëhershme që të plotësojë kushtet si më poshtë:
a. Përmirësimin e sistemit të brendshëm të cilësisë.
b. Qartësimin e menjëhershëm të mospërputhjeve mes numrit të studentëve, që ndjekin programin Bachelor në Infermieri mes të dhënave të sekretarisë mësimore me ato të RBV. Paraqitja zyrtare e këtij numri bashkëngjitur listat me emrat e studentëve të regjistruar brenda një jave në ASCAL.
c. Përditësimin e Syllabuseve dhe plotësimin korrekt të tyre sipas standardeve institucionale.
d. Përditësimin e menjëhershëm në sistemin e APAAL e të dhënave mbi personelin akademik të brendshëm dhe atij të jashtëm si dhe publikimin në faqen zyrtare të Institucionit të listës së personelit akademik të brendshëm e të jashtëm, shoqëruar me CV-të përkatëse, për këtë program studimi.
e. Pasurimin e fondit të bibliotekës me më shumë materiale, që i takojnë shkencave infermierike.
3. Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Bachelor në “Infermieri” me elementët e mësipërm, të akreditohet me kusht.
4. Ngarkohet APAAL të ndjekë plotësimin e kushteve dhe të rekomandimeve si më lart, e ti paraqesë për shqyrtim nga KA.
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË