Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 112, datë 03.11.2015 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË INTEGRUAR TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “Stomatologji”, TË AKADEMISË SË STUDIMEVE TË APLIKUARA “REALD”, VLORË

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 112, datë 03.11.2015
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË INTEGRUAR TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “Stomatologji”, TË AKADEMISË SË STUDIMEVE TË APLIKUARA “REALD”, VLORË

Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportin e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e integruar të studimit, me elementët si më poshtë:

a)      Emërtimi i programit: Master i Shkencave i integruar në “Stomatologji”
b)      Cikli i studimit: Cikli i dytë
c)      Vendimi i hapjes/licencimit: Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 650, datë 14.09.2011
d)      Institucioni që e ofron: Akademia e Studimeve të Aplikuara “Reald”, Vlorë
e)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Mjekësore
f)       Kohëzgjatja (Vite/semestra): 5 Vite/ 10 Semestra
g)      Kredite (ECTS): 300 Kredite
h)      Forma e studimi: Me kohë të plotë
i)       Gjuha e studimeve: Shqip
j)       Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 7

VENDOSI


1.      Programi i integruar i studimit Master i Shkencave në “Stomatologji” nuk i përmbush “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të integruar të ciklit të dytë si dhe kërkesat ligjore akademike.
2.      Programi i studimi i ofruar nga ky Institucion paraqet mangësitë dhe dobësi serioze si më poshtë:
a.      Mungesa e stafit akademik të kualifikuar (me gradë shkencore/ titull akademik) në lëndët profesionale Stomatologjike.
b.      Mungesa e ambienteve Specifike Stomatologjike (klinika e Fakultetit të Stomatologjisë) dhe pajisjeve profesionale për kryerjen e praktikave profesionale klinike në pacientë dhe praktikave para-klinike në fantomë dhe pamundësia e studentëve për të punuar në pacientë realë.
c.       Hartimi jo sipas standarteve të përcaktuara nga Udhëzimet e MAS për kurrikulën e programeve të integruara të ciklit të dytë të studimit (aktualisht 55 provime).
d.      Hartimi jo i plotë dhe jo i saktë i syllabuseve të lëndëve, pa pedagogët përkatës, dhe shumë pak orë të planifikuara për praktikat klinike profesionale. Kurrikula duhet të riformulohet dhe të riorganizohet totalisht, ashtu dhe syllabuset.
e.       Mungesa e teksteve bazë në mësimdhënien dhe mësimnxënien e shumë lëndëve, veçanërisht të lëndëve të specialiteteve profesionale
f.        Një proces mësimor i padokumentuar nga Sekretaria Mësimore e Fakultetit për vitet e mëparshme akademike të programit të studimit (2011-12, 2012-13, 2013-14) dhe dokumentacion jo i plotë për vitin akademik 2014-15.
g.      Studentët e regjistruar në vitet akademike 2012-13, 2013-14, 2014-15 janë pa numër matrikullimi.
3.      Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit vendos të japë për këtë program studimi vlerësim negativ.
4.      Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i integruar i studimit, Master i Shkencave në “Stomatologji” me elementët e mësipërm, të mos akreditohet.

KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË