REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 109/1, datë 18.12.2015
PËR
SHPALLJEN E VENDIMIT TË KËSHILLIT TË AKREDITIMIT PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “MENAXHIM NË INXHINIERI”, TË SHKOLLËS PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË "UNIVERSITETI METROPOLITAN TIRANA"
Këshilli i Akreditimit, me VKA Nr. 109, datë 03.11.2015 për “Akreditimine programit të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Menaxhim në inxhinieri”, të Shkollës Private të Arsimit të Lartë “Universiteti Metropolitan Tirana””, përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me shkresë Nr. 211/6, datë 11.11.2015 dhe dorëzuar në datën 12.11.2015, i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që programi i studimit i ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Menaxhim në inxhinieri”, të akreditohet me kusht.Institucioni duhet të marrë masa të menjëhershme që të plotësojë kushtin si më poshtë:
a. Të shtojë dhe të angazhojë personel akademik efektiv për të arritur plotësisht standardin e mbulimit deri në 70% të ngarkesës mësimor me staf akademik efektiv.
Institucioni duhet gjithashtu të plotësojë në vijim rekomandimet si më poshtë:
b. Përmirësimin e nivelit të gjuhës angleze tek studentët për tu mundësuar këtyre të fundit, përdorimin e literaturës në gjuhën angleze.
c. Të përfshihen detyrat e kursit në lëndët ku mungojnë.
d. Të parashikohet në planin mësimor lënda e menaxhimit të burimeve njerëzore.
Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë, konstaton se që nga data12.11.2015 Ministri i Arsimit dhe Sportit nuk është shprehur për Vendimin e mësipërm.
Për këtë arsye, bazuar në nenin 62 pika 1 të ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili parashikon se “Ministri i Arsimit dhe Shkencës, mbështetur në rekomandimet e këshillit të akreditimit, jep vendimin përfundimtar për akreditimin institucional dhe të programeve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai shprehet brenda një muaji, në të kundërt këshilli i akreditimit shpall vendimin e tij”, nenit 138 të Ligj Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, nenin 15 pika 6 dhe 8 të Rregullores “Për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.424, datë 02.6.2010 i ndryshuar, meqenëse ka kaluar më shumë se 1 muaj dhe Ministri i Arsimit dhe Sportit nuk është shprehur për Vendimin e mësipërm, Këshilli i Akreditimit
VENDOSI:
1. Të shpall Vendimin e tij Nr. 109, datë 03.11.2015 për “Akreditimin e programit të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Menaxhim në inxhinieri”, të Shkollës Private të Arsimit të Lartë “Universiteti Metropolitan Tirana””.
2. Vendimi Nr. 109, datë 03.11.2015i bashkëngjitet këtij Vendimi.
3. Ngarkohet Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë të njoftojë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Shkollën Private të Arsimit të Lartë “Universiteti Metropolitan Tirana”.
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË