Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Drejtori i ASCAL jep intervistë për FAX News mbi Sondazhin Kombëtar të Studentëve

Z.Elvin Gjevori, drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka qenë i ftuar në Fax News ku ka komentuar Sondazhin Kombëtar të Studentëve, i cili po organizohet me studentët për cilësinë e arsimit në vend.

Sipas Z.Gjevori ky sondazh është shtrirë në të gjithë vendin, dhe deri më tani ka një shifër prej 15% të studentëve që e kanë plotësuar pyetësorin. Drejtori i ASCAL tha më tej se sondazhi kërkon që të japë një panoramë të plotë të gjendjes së arsimit të lartë në vend, në mënyrë që të shërbejë si një referim dhe për gjimnazistët për Universitetin që do të zgjedhin në të ardhmen.

“Afati është shtyrë deri në datën 5 Maj 2019, pasi kjo ka qenë një periudhë me shumë pushime, në mënyrë që t'iu japim mundësi të gjithë studentëve që të përfshihen. Sondazhi Kombëtar i Studentëve po bëhet për herë të parë në Shqipëri, dhe është pjesë e Paktit për Universitetin, për herë të parë do të kemi të strukturuar mendimin e studentëve për Institucionet e Arsimit të Lartë.

Ne kemi ndërmarrë një fushatë në të gjithë vendin për informimin për këtë sondazh, kemi ngritur grupe pune dhe specialistët kanë shkuar në çdo Institucion të Arsimit të Lartë, ka pasur takime me të gjithë studentët. Në fund të 82 takimeve ne u kemi dërguar studentëve sondazhin me link në email-in e tyre. Kemi gjetur një afat kohor që studentët janë pa angazhime, dhe iu kemi çuar vazhdimisht kujtesa për të plotësuar sondazhin.

Derimë tani e kanë plotësuar rreth 15% e studentëve, dhe është një shifër e konsiderueshme, duke qenë se edhe në vendet e zhvilluara dhe me përvojë siç është Anglia shifra arrin deri në 35%. Ne kemi kërkuar listat e email-eve nga IAL-të dhe më pas u kemi dërguar sondazhet studentëve”, u shpreh Gjerovi.

Kujtojmë se ky sondazh është promovuar dhe nga Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  Znj.Besa Shahini, gjatë takimeve që ata kanë pasur me studentët në kuadër të takimeve për Paktin e Universitetit.

Burimi Fax News

Media