Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e kulturës së cilësisë në arsimin e lartë, ASCAL zhvilloi një takim me anëtarët e Grupeve të Vlerësimit të Brendshëm të Universitetit Politeknik të Tiranës, në funksion të përgatitjes dhe zhvillimit të procesit të vlerësimit të brendshëm të programeve të studimit.
Gjatë takimit u theksua roli i ASCAL-it në mbështetjen dhe orientimin e institucioneve të arsimit të lartë në proceset e sigurimit të cilësisë, si një element thelbësor për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve akademike dhe institucionale. Në këtë kuadër, u trajtuan aspektet kryesore të procesit të akreditimit, hartimi i raportit të vetëvlerësimit, përgatitja e dokumentacionit mbështetës, si dhe përgjegjësitë e Grupeve të Vlerësimit të Brendshëm në këtë proces.
Takimi synoi të nxisë një kuptim më të qartë mbi rëndësinë e vlerësimit të brendshëm si një mekanizëm kyç për identifikimin e pikave të forta, adresimin e nevojave për përmirësim dhe garantimin e cilësisë së programeve të studimit. Gjithashtu, u theksua rëndësia e një qasjeje bashkëpunuese, të strukturuar dhe efektive nga institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me standardet dhe kriteret e vlerësimit.
