Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) mori pjesë në Konferencën e Katërt Vjetore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (KAA), të zhvilluar në Prishtinë, me temë “Internal Quality Assurance in Higher Education Institutions: From Evaluation to Quality Culture”.
Në kuadër të konferencës, ASCAL u përfaqësua edhe në panelin ndërkombëtar “The Role of Quality Assurance Agencies”, së bashku me drejtues dhe përfaqësues të agjencive homologe nga vende të ndryshme evropiane.
Diskutimet sollën në vëmendje rëndësinë e kalimit nga vlerësimi formal drejt ndërtimit të një kulture të qëndrueshme të cilësisë, forcimin e mekanizmave të brendshëm të sigurimit të cilësisë, si dhe ekuilibrin ndërmjet autonomisë institucionale, llogaridhënies dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave mbeten prioritete të ASCAL, në funksion të përafrimit me standardet evropiane dhe forcimit të kulturës së cilësisë në arsimin e lartë.
Pjesëmarrja në këtë konferencë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të ASCAL për forcimin e bashkëpunimit me agjencitë evropiane dhe avancimin e objektivave për anëtarësim në ENQA dhe regjistrim në EQAR.



